Shendet

Statistikat/710 raste të reja me kancer gjiri, 230 gra humbin jetën çdo vit, Ylli: Të parandalohen vdekjet e parakohshme

“Ishte dhjetor, festat e fundvitit. Gjoksi po më pëlciste. Nuk e kisha parë veten kaq të zbukuruar…”

Xhuli Yzeiraj është një nga pacientet e diagnostikuar me tumor gjiri muajt e fundit. Gruaja 54-vjeçare, nënë e dy vajzave tregon se në mars të këtij viti pas një kontrolli të imët shëndetësor konstatoi masë tumorale në gjirin e djathtë, faza 2.

Prej asaj dite, gjithçka ndryshoi te ajo, as dëshira për t’u bashkuar me të shoqin në Gjermani, asgjë nuk kishte më vlerë se jeta e saj, të jetonte për vajzat.

Si Xhuli, qindra gra në Shqipëri nuk e diagnostikojnë hershëm tumorin e gjirit.

Shkak më së shumti në dy vitet e pandemisë, ka qenë prekja nga covid, i cili pengoi jo vetëm diagnostimin në kohë por dhe trajtimin eficent, duke shkaktuar vonesa në marrjen e kurës çka rëndoi gjendjen shëndetësore të grave.

“Unë jam një prej atyre grave që diagnostikohem me mamografi gati 3 herë në vit. Nuk e zbulova dot më shpejt. U deshën analizat e covid të më tregonin se diçka nuk shkonte me shëndetin tim”, thotë një tjetër paciente e diagnostikuar me tumor në gji në 2021.

Situata epidemiologjike në Shqipëri

Sipas ekspertit të shëndetit publik, Alban Ylli, vendi ynë ngjason me vendet e tjera në botë sa i takon incidencës së kancerit të gjirit në botë.

Sipas tij, si në nivel global, edhe në Shqipëri, kanceri i gjirit përbën rreth 12 % të të gjitha rasteve të reja të kancerit te diagnostikuara cdo vit (incidenca) dhe rreth 25 % të të gjitha tumoreve te gratë (prevalenca).

Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik

“Kanceri i gjirit mund të haset në çdo moshë, por shumica dërrmuese e rasteve vërehet tek gratë me moshë mbi 50 vjeç”, thotë për Gazetasi.al epidemiologu Alban Ylli.

Rastet e reja

Në vitin 2021, u diagnostikuan 714 femra me kancer të gjirit në të gjithë vendin ose 50.5 për 100.000 femra me një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2015. (incidenca 46.0 për 100.000 femra).

Të dhënat e ISHP tregojnë se janë më shumë se 5.000 gra që jetojne me këtë sëmundje në vendin tonë.

Vdekshmëria

Sipas të dhënave të regjistrit kombëtar të kancerit, nëse do të mënjanoheshin nga analiza dy vitet e pandemisë, shtrimet në spital lidhur me  kancerin e  gjirit për periudhën 2015-2019 janë rritur me pothuaj 30%; nga 4665 shtrime në vitin 2015 në 6626 në vitin 2019.

Në vitin 2021 pati 225 vdekje (15.9 për 100.000 femra). Krahasuar me vitin 2015 kur vdekjet ishin 229 (vdekshmëria 16.1 për 100.000 femra) vërehet nje ulje prej 1%.

Çfarë duhet përmirësuar në Shqipëri?

Eksperti i ISHP Alban Ylli thotë se duhet të sigurojmë shërbime që të paktën 60% e grave 50-60 vjec tē bëjnë një mamografi një herë në dy vjet.

“Dhe 90% e atyre që dalin me dyshime të vijojnë ekzaminimet diagnostike dhe të fillojnë shpejt trajtimin për të parandaluar disa vdekje të parakohshme”, thotë eksperti Alban Ylli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë