Futboll

Starton sot sezoni i pazakontë 2022-2023, Tirana në mbrojtje të kurorës

Gazeta Si – Nis sot rrugëtimin kampionati i 84-t në historinë e Superiores. Sezoni 2022-2023 është ndryshe nga të tjerët, jo vetëm nga ekipet pjesëmarrëse. Është një sezon i pazakontë edhe për shkak të Kupës së Botës, që zhvillohet në periudhën nëntor-dhjetor.

Pikërisht në këtë kohë do të ketë një ndërprerje gati njëmujore të Superiores, nga data 12 nëntor deri më 7 dhjetor. Sezoni nuk nis me finalen tradicionale të Superkupës, që është shtyrë për në dhjetor, por direkt me kampionatin.

Trofeu i kampionit të Superiores. Gazeta Si, 19 gusht 2022

Superiorja e këtij sezoni vjen me një mungesë të theksuar të ekipeve të traditës. Si kurrë më parë, këtij sezoni i mungojnë klube me tituj kampion në historinë e tij, si Dinamo, Skënderbeu, Elbasani dhe Flamurtari, por edhe shumë skuadra të tjera tradicionale.

Kampionati e ngre siparin nga Kukësi, ku Tirana kampione në fuqi do të fillojë mbrojtjen e kurorës. Pas dështimit në Europë, Tirana kërkon të paktën të mbrojë titullin, por nuk e ka të lehtë. Partizani, Kukësi dhe Vllaznia shihen si rivalët e saj në garën për trofeun e kampionit.

Kukësi, pas një viti jashtë Kupave të Europës, synon rikthimin e fuqishëm me Skënder Gegën në stol. Partizani ia ka besuar stolin një italiani, Xhovani Kolelës, ndërsa Vllaznia është në duart e Mirel Josës.

Në elitë është kthyer pas shumë viteësh Erzeni i Shijakut, që pati vështirësi në organizim. Egnatia ka bërë bujë në merkato dhe synon katet e sipërme. Vështirë të bëhen parashikime, tani fjalën e ka fusha, që tregon se kush ka vepruar më mirë gjatë verës.

10 ekipet pjesëmarrëse të Superiores
Tirana
Partizani
Vllaznia
Kukësi
Teuta
Laçi
Kastrioti
Egnatia
Bylisi
Erzeni


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë