Gazeta Si – Pasditen e sotme fillon kampionati elitar i futbollit shqiptar, i 85-ti në historinë e tij. Një kampionat ky që vjen me një format të ri, që ka ngjallur jo pak diskutime, por tashmë nuk ka kthim prapa.
Do të aplikohet për herë të parë e ashtuquajtura ‘Final 4’ për përcaktimin e titullit kampion. Pra, 36 javëve të kampionatit të rregullt me 4 faza u shtohen edhe 3 javë të tjera, ku 4 ekipet e para në renditje përplasen mes tyre për të vendosur se kujt i takon trofeu.

Ajo që ka shkaktuar më shumë polemika është se këtyre 4 ekipeve u zerohen pikët pas 36 javësh. Një vendim ky që nuk pranohet shumë nga logjika sportive. Faza e ‘Final 4’ do të zhvillohet në stadiumin ‘Air Albania’ me qëllimin për t’i dhënë më shumë ngjyra spektakli garës.
Dhjetë skuadrat që marrin pjesë në kampionat janë Partizani, Tirana, Dinamo City, Vllaznia, Teuta, Skënderbeu, Egnatia, Laçi, Kukësi dhe Erzeni. Dy skuadrat që renditen në vendet e fundit bien një kategori më poshtë, kurse vendi i 8-të luan një ndeshje shtesë për qëndrimin në elitë.
Nëse ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë renditet në 3 vendet e para të kampionatit, të drejtën për të shkuar në Europë e ka vendi i 4 i kampionatit. Rikthehen në këtë kampionat Dinamo, tashmë me emrin e ri Dinamo City, dhe Skënderbeu. Dy skuadra që së bashku kanë fituar 26 tituj kampion, 18 kryeqytetasit dhe 8 korçarët.
Problematikat mbeten të njëjtat: stadiumet dhe vështirësitë financiare për ndonjë klub. Që në javën e parë do të kemi një derbi, Dinamo City-Tirana, por që do të luhet në Elbasan, sepse ‘Air Albania’ nuk është i disponueshëm aktualisht. Kukësi dhe Erzeni janë dy klubet që kanë hasur jo pak vështirësi në organizim, për shkak të probleme financiare.
Kampionët mungojnë javën e parë
Kampionati nis sot nga Rrogozhina, ku Egnatia pret Skënderbeun. Sot luhet edhe ndeshja tjetër Vllaznia-Kukësi, kurse nesër zhvillohen Laci-Erzeni dhe Dinamo City-Tirana. Partizani do ta nisë mbrojtjen e trofeut të kampionit nga java e dytë e kampionatit.

Ndeshja e të kuqve me Teutën është shtyrë, sepse ata vazhdojnë të jenë në garë në kompeticionet europiane. Javën e ardhshme skuadra e Zekiç luan ndeshjen e kthimit të ‘Play-off’-it të Ligës së Konferencës. Partizani u mund 1-0 të enjten nga Astana dhe është ende në lojë për kualifikimin në fazën e grupeve, që do të ishte historik për këtë klub.
Pretendentët kryesorë për titullin kampion, të paktën në letër, parashikohet të jenë Partizani dhe Tirana, por kujdes nga surprizat Egnatia dhe Dinamo City. Rrogozhinasit kanë një skuadër mjaft simpatike dhe kompetitive, kurse blutë po riorganizohen për t’u kthyer në majat e futbollit shqiptar.
Vllaznia këtë sezon ka zgjedhur të konkurrojë me një skuadër me profil më të ulët, por ka mundësitë të pretendojë 4-shen e parë.
Mesazhi i presidentit Duka
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë përshëndetjen e rastit para kampionatit, duke uruar që të jetë një sezon me sa më shumë emocione dhe ‘fair play’.

“Nisim sot edicionin e 85-të të “Abissnet Superiores”, rrugëtimin e një kapitulli plot emocione dhe adrenalinë që dhuron futbolli. Një kampionat i ri, që jam i sigurt se do të jetë shumë konkurrues, edhe më i bukur se ai i sezonit të kaluar, duke na ofruar përmes ndeshjeve adrenalinë dhe garë të lartë, respekt në fushë mes kundërshtarëve, ashtu siç i ka hije lojës tonë të bukur.
Ky edicion i ri do të ketë një risi të madhe me formatin e ri “Final 4”, ku katër skuadrat e para do të garojnë ndërmjet tyre për të përcaktuar skuadrën kampione, në një garë që synon ta bëjë kampionatin gjithmonë e më shumë atraktiv, më konkurrues edhe ta bëjë garën të luftuar deri në sekondën e fundit.
Jam besimplotë se ky ndryshim i miratuar për këtë sezon do të jetë një histori suksesi dhe do të ndihmojë shumë klubet tona në drejtimin sportiv, duke qenë se do të luajnë ndeshje me kundërshtar të fortë, me presion të madh për rezultatin, ku kërkohet përqendrim maksimal, siç janë ndeshjet në kompeticionet europiane, dhe kjo do t’i rrisë më shumë klubet dhe veçanërisht lojtarët. Nga ky kampionat me këtë format të ri do të dalin skuadra dhe klube padiskutim më cilësore e më të fortë.
Vetëm nëpërmjet një gare të fortë, me më shumë ndeshjeje kompetitive do të jemi më konkurues në nivel rajonal dhe atë europian. Këto janë premisat nga të cilat jemi nisur dhe kjo formulë e re i garanton këto.
Në nisje të këtij sezoni të ri futbollistik kam një mesazh edhe për klubet tona të të gjithë niveleve. Të ndërtojnë projekte sportive afatgjatë me objektiva të rëndësishëm, sepse kjo është e vetmja rrugë drejt suksesit dhe të qenit konkurrues brenda dhe jashtë vendit. Një punë shumë e madhe kërkohet edhe me akademitë në futbollin e bazës, ku me bindje them se kanë përpara një thesar shumë pak të eksploruar”, – shkruan mes të tjerash presidenti Duka në mesazhin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




