Motosport

Starton sot Botërori i Formula 1, nën shenjën e Maks Vershtapen

Maks Vershtapen ka arritur kohën më të mirë në provat zyrtare të “Çmimit të Madh të Bahreinit” dhe sot, në garën hapëse të Botërorit të Formula 1, do të niset i pari. Piloti holandez ishte 388 të mijëtat më mirë se kampioni i botës, Ljuis Hemilton, që kompleton rreshtin e parë dhe premton një garë të luftuar.

Ferrari e sheh veten në rreshtin e dytë, me Sharl Leklerk që u rendit i katërti, pas Valteri Botas. Gjithçka sipas parashikimeve në provat zyrtare. Vershtapen është në një formë shumë të mirë dhe nga sot në mbrëmje do të nisë sfidën ndaj “mbretit” Hemilton. Honda është në sezonin e fundit të impenjimit direkt në Formula 1, pasi në vazhdim do të administrohet nga Red Bull-i.

Pista e Bahreinit. Gazeta Si, 28 mars 2021

Në krahasim me garën e Bahreinit 2020, që në fakt i takon vetëm 4 muaj më parë, një hap përpara ka bërë Ferrari. “Veterani” Leklerk është në formë, kurse Sainz, që në provat e lira kishte dhënë përshtypjen se do të ishte në një nivel me francezin, nuk ka pasur vazhdimësi, ndoshta edhe pak nervoz me shokun e skuadrës.

Në rreshtin e tretë sot niset Pierr Gasli, i cili i mori vendin e 5-të Daniel Riçardos. Në paraqitjen e tij të parë me McLaren-Mercedes, australiani mundi me 47 të mijëtat shokun e skuadrës Lando Norris.

Si rreshtohen pilotët para nisjes. Gazeta Si, 28 mars 2021

Para startit të Botërorit kanë zhgënjyer më shumë nga të gjithë Serxhio Perez dhe Sebastian Fetel. Meksikani niset në rreshtin e 6-të me Red Bull RB16B, me të cilën Vershtapen ka dominuar fundjavën. Fetel do ta nisë garën në linjën e parafundit, përkrah Nikolas Latifit, përpara Mik Shumaker dhe Nikita Mazepin. Gara e Bahreinit nis në orën 17:00 dhe premton spektakël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë