Kosova

Stano: Drafti i Asociacionit i balancuar por palët nuk po përmbushin detyrimet

Nga Gazeta ‘Si’-Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që u është paraqitur palëve në proces të dialogut në Bruksel, është i balancuar dhe evropian.

“Lidhur me draftstatutin e Asociacionit të komunave serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga EUSR-ja për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund të muajit tetor dhe më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian”, tha ai ndërsa vijoi me arsyet se përse BE-ja nuk po e bën publik përmbajtjen e draftstatutit të Asociacionit.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim. Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen. Të njëjtën gjë presim edhe nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha tutje Stano.

Ai nuk dha qëndrim të qartë nëse BE-ja ka një vlerësim se cila palë në procesin e dialogut nuk po e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit.

“Zbatimi është përgjegjësi e palëve dhe deri më tani ato nuk kanë qenë në gjendje të ecin përpara dhe të përmbushin detyrimet e tyre”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë