Pas ndeshjes, trajneri i Crvena Zvezdës, Dean Stankoviç, foli në konferencën për shtyp. Ish-futbollisti vlerësoi maksimalisht paraqitjen e Tiranës si dhe mikpritjen që atij dhe ekipit serb iu bë në Shqipëri.
Ndeshja- Nuk ka rëndësi sa gola janë bërë 1 apo 10, por fitorja. Synimi u arrit, u kualifikuam. Do ta analizojmë ndeshjen. Kishim një ekip shumë të motivuar dhe të përgatitur, bëri një ndeshje mjaft të mirë.

Muçi- Unë si një ish-futbollist, e urova dhe i thashë që ka bërë një lojë shumë të mirë. Duhet të vazhdojë të luajë me këto ritme, po bën një punë të shkëlqyer.
Fati– fati është një faktor i rëndësishëm në jetë që duhet ta meritosh.. Ne e kemi merituar fatin dhe e fituam. A pata frikë? Frika është pjesë e sportit dhe e jetës. Isha i shqetësuar në disa momente, por nuk është se kisha frikë.
Shqiperia– “Jemi ndjerë shumë mirë. Njerëzit ishin shumë mikëpritës. Hera e parë që kam ardhur në Tiranë dhe na kanë pritur shumë mirë. Kam përshtypje mjaft të mira. Dua t’i falenderoj të gjithë. Një përqafim nga zemra”.

Nga ana tjeter, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, foli në konferencë për shtyp pas ndeshjes së humbur 0-1 ndaj Crvena Zvezdës. Në fjalën e tij, trajneri bardheblu deklaroi: “Ne aq lojtarë kishim, aq mundësi kishim për të bërë ndërrime. Nuk kishim çfarë të bënim më shumë.

Jemi njerëz, sigurisht që jemi mërzitur. Diçka normale. I kam thënë çunave që nuk duhet mërzitur. Kështu e ka vendosur Zoti që do të ndodhë. Nuk jam mërzitur fare, jam shumë i kënaqur. Jeta vazhdon. Do të luajmë fatet tona, në Ligën e Europës. Me kismet të Zotit mund të futemi në grupet e Ligës së Europës”, u shpreh nigeriani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




