Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s, S&P, ka rikonfirmuar vlerësimin B+ për ekonominë e Shqipërisë dhe ka rishikuar për lart perspektivën e saj nga “e qëndrueshme”, në “pozitive”.
“Perspektiva pozitive” sipas agjencisë pasqyron pikëpamjen e saj se parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive të agjencisë, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike. Për më tepër, pavarësisht një ngadalësimi të partnerit kryesor tregtar të vendit, BE-së, agjencia parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë se ç’pritej, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.
S&P thekson se pas vitit 2023 ekonomia e Shqipërisë do të rritet më shpejt, por konsolidimi fiskal do të varet fort nga vijimësia e reformave strukturore.
Agjencia vëren se inflacioni ka rënë, duke arritur në 4% në gusht, në rënie të ndjeshme nga 7.2% që rezultonte në janar, si dhe ajo parashikon që inflacioni do të jetë mesatarisht 4.7% për vitin 2023, pastaj do të bjerë gradualisht në nivelin e targetuar prej 3%, në sajë edhe të forcimit të lekut. Ajo pret që defiçiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022.
Duke pasur parasysh mungesën e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe gjeografike të Shqipërisë, mbështetjen e saj të fuqishme të brendshme për BE-në dhe shumicën parlamentare të qeverisë, e cila lehtëson kalimin e reformave, agjencia beson se vendi është i mirëpozicionuar për të përparuar në ofertën e tij për anëtarësim në BE, pa pengesa të mëdha të jashtme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



