Nga Gazeta 'Si'- Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën, pak para mesnatës, ishte sulmuar stacioni policor në Zveçan, pasi drejt oborrit të stacionit ishin hedhur dy granata dara nga persona të panjohur.
Sipas Policisë, sulmi ka shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk ka lënë asnjë të lënduar.
“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës të mërkurën.
Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në fshatin Izvor të Zveçanit, në veriun e banuar me shumicë serbe, po ndërtohej një nënstacion i ri policor.
Gjatë aktivitetit për vendosjen e gurthemelit, Kurti kishte thënë se një javë më parë ishte vendosur edhe një gurthemel për stacionin e policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës. Në këtë pikë ndodhen pjesëtarë të njësive speciale dhe të rregullta të Policisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë.
Gjithashtu, sektori civil serb ka kërkuar kohët e fundit nga komuniteti ndërkombëtar që t’u kushtojë vëmendje ankesave të qytetarëve për sjelljen e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “joprofesionale” dhe “të politizuar”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.
Ai po ashtu ka deklaruar se autoritetet e Kosovës “kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme strukturën etnike të policisë” në veri të Kosovës, dhe ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit parashikon që në këtë pjesë të dislokohen policë nga radhët e komunitetit serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.