Nga Gazeta Si – Spring Festival është një eksperiencë e re e festivalit outdoor që mund të përjetohet në zemër të Tiranës. Nga mbrëmë dhe deri më 15 maj në sheshin Skënderbej, në këtë festival mund ta gjejë veten çdokush në praninë e këngëtarëve më në zë.
Festivali nisi mbrëmjen e parë me muzikën e zërin unik të Dren Abazit, por do të vijojë me performanca muzikore LIVE nga artistët dhe grupet më në zë, për të kënduar e kërcyer bashkë me ndjekësit që pritet të vizitojnë festivalin.
Ky festival do të sjellë shumëllojshmëri artesh, ku nuk do të mungojnë as shfaqjet teatrale dhe muzikal për fëmijë e të rritur.
Ndërkohë, në mbrëmjen e dytë skenën do ta pushtojë trupa teatrale e Shkupit.
“Skena e madhe ka performanca LIVE të bandave dhe këngëtarëve më të mirë të muzikës LIVE që ne kemi, si edhe dy shfaqje teatrale muzikale respektivisht nga Teatri Kombëtar i Kosovës me një trupë të jashtëzakonshme që do të performojë në skenën e madhe si edhe Teatri Kombëtar për Fëmijë dhe të Rinj i Maqedonisë së Veriut”, shprehet Uarda Koçi, që është organizatore e festivalit.
Në këtë festival nuk do të mungojë as kulinaria.
Për herë të parë, organizatorët zbuluan se metropoli do të ofrojë mundësi për të blerë e shitur edhe në një zonë të dedikuar. E kanë quajtur “Garage Sale”, vendin ku çdokush mund të sjellë sendet e objektet të cilat nuk i përdor më dhe t’i rijetësojë duke ia shitur dikujt që ka nevojë për to, ose të blejë gjithçka dëshiron në këtë bazzar në sheshin kryesor të kryeqytetit.
“Në festival do të keni mundësi për të blerë e shitur vepra artistike apo punime handmade”, vijon më tej Uarda Koçi, koordinatorja e këtij eventi që merr jetë me nisjen e pranverës.
Sipas organizatorëve, fëmijët do të jenë kryefjalë e çdo dite në hapësirën dedikuar tyre.
“Spring Festival ka nisur të jehojë”, përfundojnë organizatorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.