Futboll

Sponsori i tërheq vëmendjen Juventusit për sjelljen e lojtarëve: E papranueshme!

Gazeta Si – Një ‘hall’ më shumë për Juventusin. Me anë të një letre, sponsori i ekipit bardhezi ka dashur t’i tërheqë vëmendjen klubit për sjelljen e lojtarëve në fushë. E ka paralajmëruar këtë fakt administratori i deleguar i ‘Allianz Italia’, Xhakomo Kampora, në një video për punonjësit dhe agjentët, sipas ‘Corriere della Sera’.

“Do t’u dërgoj një letër drejtuesve të klubit, sepse është krejtësisht e paprapnueshme që lojtarët që mbajnë markën tonë në fanellë të kenë një sjellje të tillë të pahijshme. Nuk pranojmë asnjë justifikim që lidhet me agonizmin sportiv”, – është shprehur Kampora.

Me një akord sponsorizimi prej 73 milionë eurosh për periudhën 2017-2023, i zgjatur tashmë deri në 2030-ën për 103 milionë euro, ‘Allianz’ nuk shfaqet në fanellat e ndeshjes së Juventusit, por në fanellat e stërvitjes, në pjesën e pasme të fanellave të ekipit të femrave, por mbi të gjitha, nga sezoni 2017-18, është edhe emri i stadiumit.

Në profilin e tij në Tuiter, ku ai personalisht reagon shpesh për argomente sportive, Kampora kishte ndarë një postim të ‘L’Equipe’ në lidhje me sulmet raciste ndaj Lukakut në ‘Allianz Stadium’. “Romelu Lukaku është një kampion”, – shkruante ai.

Mesazhi video i referohet sjelljes së lojtarëve të Juventusit në ndeshjen e Kupës së Italisë me Interin. Në fund të saj u përjashtuan me karton të kuq Lukaku, Kuadrado dhe Handanoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë