Drejtësia

‘Spiunia’ Svetlana Timofeeva nuk do ekstradohet, gjykata refuzon kërkesën e Rusisë

Gazeta Si - Svetlana Timofeeva nuk do të ekstradohet në Rusi. Kështu ka vendosur këtë të premte Gjykata e Elbasanit, duke refuzuar kërkesën e autoriteteve ruse për “spiunen” 34-vjeçare e arrestuar në Shqipëri gusshtin e vitit 2022 në uzinën e armëve në Gramsh.

Timofeeva kërkohet edhe nga autoritetet ruse për veprën penale ‘Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror’, vendim ky i dhënë që më 25 gusht të vitit të kaluar nga Gjykata e Meshchanky Moskë.

Por trupa gjykuese e Elbasanit vendosi që të mos e ekstradojë Timofeevan drejt shtetit rus. Vetë kjo e fundit ishte shprehur kundër ekstradimit në Rusi.

“Nëse kjo shtetase do të ekstradohej në Rusi, do të persekutohej pasi ishte një vepër penale tërësisht e sajuar nga autoritetet ruse, thjesht për ta çuar në Rusi pasi kjo shtetase ka qenë kundër regjimit. Vendimi i Gjykatës është tërësisht i bazuar në prova, por edhe në përputhje të plotë me qëndrimin që ka mbajtur kolegji i Gjykatës së lartë në vitin 2021 në raste të ngjashme”,- u shpreh pas seancës avokati i saj mbrojtës Fatmir Lushi.

Më herët, Prokuroria ruse i ka kërkuar Shqipërisë ekstradimin, një proces që po shqyrtohet ndarazi në Gjykatën e Elbasanit. Ministria e Drejtësisë Shqiptare i dha "dritë jeshile" nisjes së procedurës pavarësisht dëshmive për shkelje të të drejtave të njeriut nga Rusia.

Rusja 34-vjeçare e kundërshton akuzën. Në kërkesën për azil, vihet në dukje se ajo ka mbajtur qëndrime kundër luftës dhe më 24 shkurt 2022, ditën e fillimit të agresionit rus mbi Ukrainë, Timofeeva shkroi për 250 mijë ndjekësit e saj në Instagram se mbështeste ukrainasit.

Mikhael Zarin 24 vjeç, Svetlana Timofeeva 33 vjeçe të dy nga Rusia dhe Fiodor Mihailoviç nga Ukraina, u ndaluan më 20 gusht 2022 nga policia shqiptare, pasi sulmuan me spraj neuroparalizues ushtarakët Ardian Xhaka dhe Aldi Bici, roje të Uzinës Ushtarake të Çekinit në Gramsh ku ata po filmonin pa leje. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë