Ne rrjet

“Loja e spiunëve” përçan Moskën me Athinën

Një “lojë spiunësh” në të cilën janë përshirë politikanë dhe zyrtarë grekë, duket se ka përçarë si rrallë herë Athinën dhe Moskën, duke shënuar një pikë të rëndësishme kthese në historinë e marrëdhënieve të ngrohta mes dy vendeve ortodokse.

 Ditën e djeshme një burim diplomatik grek ka njoftuar se Athina do të dëbojë dy diplomatë rusë, të cilët dyshohen se kanë ndërhyrë politikisht në çështjen e marrëveshjes me Maqedoninë. Përplasja e rrallë diplomatike mes dy vendeve ortodokse, vjen në një kohë kur NATO po përgatitet për anëtarësimin e Shkupit, një vendim që ka ngritur jo pak shqetësime në Kremlin, pasi Rusia kundërshton me ngulm zgjerimin e aleancës ushtarake.

Burimi diplomatik grek tha për “Reuters” se Athina do të dëbojë dy diplomatë dhe se do t’u ndalojë hyrjen në Athinë dy qytetarëve të tjerë rusë. Sipas tij, vendimi i papritur erdhi për shkak se ata ishin të përfshirë në disa tubime në Greqi kundër marrëveshjes me Maqedoninë, të mbajtura në dhjetëra qytete greke. Sipas diplomatit, ata kishin tentuar gjithashtu t'u ofronin para zyrtarëve shtetërorë grekë. Athina mësohet se ia përçuar këto shqetësime Moskës dhe u kërkoi diplomatëve më 6 korrik që të largoheshin nga Greqia. Sipas diplomatit grek atyre iu dha disa ditë kohë për të bërë ggati çantat.

Proteste kundër marrëveshjes me Maqedoninë në Selanik

"Këto dëbime janë më se të justifikuara, sepse ato kanë të bëjnë me aktivitete të paligjshme që cënojnë sigurinë kombëtare- deklaroi ai- Megjithatë dëbimi i zyrtarëve grekë nga ana e Rusisë janë të pajustifikueshme, sepse diplomatët tanë veprojnë brenda kufijve të detyrave të tyre".

Që nga filimi i negociatave, si në Greqi ashtu edhe në Maqedoni janë organizuar një sërë protestash kundër nënshkrimit të marrëveshjes së emrit.  Kjo e fundit duket se lehtësoi rrugën e Shkupit drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Ndërkohë që flasim, Maqedonia mori një ftesë në samitin e NATO-s në Bruksel për t'u bashkuar me aleancën. Greqia nga ana tjetër është parë nga Bashkimi Europian si një anëtar mjaft i vlefshëm për stabilizimin e rajonit mbajtjen e tij në “shinat” europiane.

Në kundërpërgjigje të vendimit të Athinës, Rusia tha se do të përgjigjet me të “njëjtën monedhë” ndaj qeverisë greke. Një anëtar i parlamentit rus, Andrei Klimov deklaroi për mediat se Moska do të dëbonte dy diplomatë grekë. Ai nuk përmendi Maqedoninë dhe nuk dha detaje të mëtejshme për këtë çështje.

Zoran Zaec dhe Alexis Tsipras firmosin marrëveshjen e emrit

Marrëdhëniet e ngrohta midis Athinës dhe Moskës

Greqia nuk iu bashkua shumicës së aleatëve të tjerë të NATO-s në mars, për dëbimin e diplomatëve ruse, për shkak të helmimit të një spiuni ruse në Angli. Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta mes Athinës dhe Moskës, përplasja e fundit diplomatike është është një zhvillim i jashtëzakonshëm. Sipas ekspertëve perëndimorë, dëbimi i diplomatëve është një paralajmërim i qartë ndaj Rusisë për të mos abuzuar me miqësinë. Athina dhe Moska janë parë gjjithnjë si aleate të ngushta, madje në vitin 2015, kur kriza greke ishte në kulmin e saj, një sërë diplomatësh europianë frikësoheshin se Greqia mund të distancohej nga BE-ja, për t’u bashkuar me aleatin e saj ortodoks.

Qëllimi i qeverisë së re për të krijuar lidhje më të ngushta me Moskën u bë e dukshme sapo partia e majtë Syriza fitoi zgjedhjet e 25 janarit. Kur erdhi në pushtet, askush nuk do ta kishte menduar se Alexis Tspiras do t’i kundërvihej Presidentit Vladimir Putin. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka vënë disa herë në pikpyetje efektivitetin e sanksioneve të BE kundër Rusisë dhe që nga dita e pare që u ul në karrige, këmbëngulin për marrëdhënie më të forta me Moskën. Ashtu si shumica e anëtarëve të Syrizas, edhe Tsipras nuk dëshironte një distancim të mëtejshëm me Moskën, por oreksi i Rusisë për të “patur për vete” rajonin, duket se ka sakrifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat datojnë shekuj më parë.

Vladimir Putin dhe Alexis  Tsipras 

Kur Greqia ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane, grekët i kërkonin shpesh ndihmë shokëve ortodoks rusë. Lufta e Pavarësisë së Greqisë u iniciua në 1821 nga një grup sekret i formuar në Odessa të njohur si Shoqata e Miqve (Filiki Eteria). Ioannis Kapodistrias, një ministri jashtëm i Perandorisë Ruse, me origjinë greke, u zgjodh si guvernatori i parë i Greqisë së re të pavarur në 1827. Marrëdhëniet u forcuan edhe më shumë me krijimin e "Partisë ruse", e cila ishte një forcë politike dominuese në shtetin e ri grek. Por bashkëpunimi ekonomik dhe politik mes dy vendeve u vulos nga qeveria konservatore e Kostas Karamanlis (2004-09) i cili u përpoq ta shndërronte Greqinë në një portë hyrësë për naftën dhe gazin rus në Evropë. Karamanlis u rrëzua nga votuesit një vit pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me Presidentin Putin.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që marrëdhënit mes dy vendeve tronditen nga historitë me spiunë”. Në vitin 2009  u zbulua se agjensia e sigurisë ruse, FSB-ja, e kishte paralajmëruar Karamanlis se po përgatitej një komplot për ta vrarë, në mënyrë që të ndalohej aleanca energjitike Greqi-Moskë.

Një faktor kryesor i interesit të Rusisë ndaj Greqisë është pozita strategjike e vendit në Mesdheun lindor. Pasuritë natyrore të Greqisë u vunë në qendër të vëmendjes pas ardhjes së  refugjatëve sirianë dhe afganë në ishujt grekë dhe në kontinent. Ishujt janë gjithashtu kritike për operacionet e mbrojtjes evropiane dhe të NATO-s në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme, veçanërisht baza në ishullin e Kretës.  Por planet për ndalimin e anëtarësimit të Maqeedonisë NATO-s dhe ndërhyrja   drejtëpërdrejtë për shkatërrimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë duket se do kushtojë shumë shtrenjtë Rusisë. Tanimë Putin ka humbur jo vetëm një aleat, por edhe atë që e konsideronte si “kalin e Trojës” brenda Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë