Analize

Spiunët iranianë që veprojnë si diplomatë në Shqipëri!

Ndërkohë që shumica e opinionit publik ishte e përqendruar tek protesta e studentëve, qeveria shqiptare po planifikonte lëvizjen e saj më të madhe në arenën ndërkombëtare: dëbimin e Ambasadorit Iranian në Tiranë, dhe një tjetër diplomati, duke i akuzuar për cenimin e sigurisë kombëtare. Kjo ishte hera e parë pas shumë vitesh që Shqipëria dëbon një ambasador dhe duket se shembi ekuilibrin delikat mbi të cilin po qendrore vendi ynë, për mos t’u përfshirë në përplasjet mes Iranit nga njëra anë dhe opozitës iranine dhe SHBA-së nga ana tjetër.

Vendimi i papritur, i cili nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Tirana Zyrtare, shkaktoi një varg reagimesh të nivelit të lartë në Uashngton, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, Këshilltari John Bolton dhe vetë Presidenti Donald Trump përgëzuan si rrallëherë Shqipërinë.

Duke theksuar se Ambasadori se Gholamhossein Mohammadnia dhe diplomati tjetër iranian janë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë e vendit tonë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Edlira Prendi ka bërë të ditur se vendimi u mor në konsultim me vendet e tjera aleate.

Por edhe pse ajo refuzoi të komentonte mbi natyrën e aktivitete të paligjshme për të cilën akuzohen, Sekretari Amerikan i Shtetit i përshkroi diplomatët si "dy agjentë iranianë që po komplotonin sulmet terroriste në Shqipëri". Edhe Presidenti Donald Trump ka përgëzuar qeverinë e Shqipërisë për ndalimin e komplotin terrorist iranian në tokën shqiptare, në një letër të pashembullt dërguar Kryeministrit Rama.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani dhe Ditmir Bushati ne Tehran

Edhe pse opinioni publik shqiptar u kap në befasi, ky lajm nuk ishte një surprizë për ekspertët të cilët kanë ngritur prej kohësh alarmin se qëkur Shqipëria strehoi rreth 3,000 anëtarë të opozitës iraniane, është kthyer në një fushëbetejë mes qeverisë së Teheranit dhe anëtarëve të MEK-ut.

Por kush është ambasadori iranian dhe në çfarë aktivitetesh janë të përfshirë diplomatët e Teheranit në Shqipëri?

Gazeta “Si” ka raportuar prej muajsh se regjimi iranian e ka kthyer ambasadën e tij në Shqipëri në një vend ku planifikohen sulme terroriste. Gholamhossein Mohammadnia, ambasadori iranian në Tiranë është akuzuar vazhdimisht si “koka” e misioneve kundër anëtarëve të MEK-ut të strehuar në Shqipëri.

Ambasadori iranian Gholamhossein Mohammadnia

Gazeta amerikane “Washington Times” raportonte në tetor se Mohammadnia vepronte në fakt si një agjent i regjimit iranian. Ai u caktua si ambasador në vendin tonë në vitin 2016, në të njëjtin vit që MEK përfundoi zhvendosjen e selisë së tij nga Iraku në Tiranë. Edhe pse erdhi “nën petkun e diplomacisë”, në fakt Mohammadnia ishte një ish-zyrtari i lartë Ministrisë Iraniane të Inteligjencës (MOIS) e njohur ndryshe si agjencia iraniane e spiunazhit.

Por ai nuk do të ishte as i pari dhe as i fundit, pasi në pozicionet kyçe të Ambasadës Iraniane në Shqipëri, do të viheshin disa nga agjentët kryesorë të MOIS-it.

Mostafa Roodaki, një agjent ministrisë iraniane të inteligjenës u caktua si sekretari i parë i ambasadës së regjimit në Tiranë.

Mostafa Roodaki, e cili ishte në krye të zbulimit në ambasadën austriake në fillim të vitit 2010, u kthye në Iran në shtator të vitit 2014 dhe punoi në selinë qendrore të MOIS-it. Sipas të dhënave, që nga koha kur ishte në Austri, Mostafa Roodaki ka punuar ngushtë për çështjen e opozitës iraniane dhe ka qenë në kontakt me një sërë ish-anëtarësh të MEK.

Po ashtu edhe Mullah Ahmad Hosseini Alast, atasheu kulturor i Ambasadës Iraniane në Shqipëri, akuzohet nga “Washington Times” të jetë përfshirë në komplotet spiunazhi në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Ai është përfaqësuesi i Organizatës Islamike për Kulturë dhe Marrëdhënie.

Presidenti Hassan Rouhani dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në Teheran

Raportet e mediave amerikane dhe të dhënat e publikuara nga Këshillit Kombëtar i Rezistencës së Iranit, një organizatë e lidhur me opozitën iraniane sugjerojnë se Teherani po komplotonte një sërë aktesh terroriste në Europë, e veçanërisht në Shqipëri, ku strehohen mijëra anëtarë të MEK-ut. Këta të fundit kanë deklaruar vazhdimisht se regjimi ka dërguar agjentët e tij në Ambasadën Iraniane në Shqipëri, në mënyrë që të spiunojnë dhe të komplotojnë një sulm terrorist kundër MEK.

“Ambasada po vihet gjithnjë e më shumë nën kontrollin e agjentëve të MOIS-it”, thekson raporti i Këshillit të Rezistencës Iraniane, në një dokument prej 57 faqesh. “Pasi anëtarët e MEK-ut ngritën shtëpinë e tyre të re në Shqipëri, Irani e ka kthyer ambasadën e tij në Tiranë në një nga ambasadat më të rëndësishme në Europë. Në vitin 2017, Mostafa Roudaki, përgjegjës për stacionin e inteligjencës në ambasadën iraniane në Austri, u zhvendos në Shqipëri për rritjen e spiunazhit dhe aktiviteteve terroriste kundër MEK-ut”, thekson raporti. Sipas tij, agjentët kontaktohen nga një sërë organesh shtetërore si Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, Ministria e iraniane Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) dhe Organizata e Inteligjencës.

Ky alarm është ngritur edhe nga Struan Stevenson, deputet i Parlamentit Evropian për 15 vitet e fundit, i cili ka deklaruar para disa muaj se Irani nuk ka fshehur irritimin për shansin e humbur për të masakruar mijëra anëtarë të opozitës iraniane të cilët u transferuan nga Iraku në Shqipëri.

Sipas deputetit europian, emërimi i Gholam Hossein Mohammad Nia dhe Mostafa Roodaki, dy zyrtarë të nivelit të lartë të ministrisë së inteligjencës iraniane, si dilplomatë në Ambasadën Iraniane në Tiranë, tregon qëllimet malinje të regjimit.

Stevenson deklaron se zyrtarët në Teheran kanë pranuar se transferimi i opozitës iraniane ka luajtur një rol kyç në protestat që janë përhapur kohët e fundit në të gjithë vendin.

Ndërkohë, sipas AFP, më 2 janar të këtij viti, Presidenti Hassan Rouhani thirri Presidentin francez dhe i kërkoi atij të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër opozitës iraniane në Paris dhe udhëheqëses të tyre, Maryam Rajavi.

Por shqetësimi i tij më i madh është prania e regjimit në Shqipëri. Sipas rrjetit televiziv amerikan“Fox News”, Shqipëria është kthyer në një nga objektivat kryesore të regjimit islamik pasi strehoi muxhahedinët. Vetë Këshilli Kombëtar i Iranit (NCRI) deklaroi se regjimi kishte planifikuar t’i vriste në Irak dhe se strehimi i tyre në Shqipëri ishte kthyer në një “pengesë të madhe” për regjimin.

I intervistuar nga “Fox News”, ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, deklaroi disa muaj më parë, se zyrtarët amerikanë e kishin paralajmëruar se duhet të rriste masat e sigurinë për mbrojtjen e tij. Majko ka bërë të ditur për median amerikane se kishte marrë një kërcënim me jetë. “Nuk kam frikë- u shpreh ai- Edhe pse se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë