Shendet

Spitalet publike / Psikiatria dhe kardiologjia me kostot më të larta për trajtime. Ulet numri i pacientëve

Nga Gazeta ‘SI’ – Pacientët e psikiatrisë në Shqipëri, janë ata që i kushtojnë më shumë buxhetit të spitaleve.

Sipas monitorimit të kryer nga ministria e Shëndetësisë në katër muajt e parë të vitit, një pacient i psikiatrisë ka kosto 343.920 lekë. MSH e justifikon këtë kosto me numrin e shtuar të punonjësve dhe nevojës për të mbushur fondin e pagave. Gjithsesi numri i pacientëve të trajtuar nga psikiatria është më i vogël nga se është parashikuar, 730 kundrejt 924.

Me kosto të larta raportohen edhe pacientët e kardiologjisë, 20.7 mijë lekë për pacientë. Spitalet kanë parashikuar trajtimin e 9.720 pacientëve, por kanë trajtuar vetëm 3.309.

Pacientët që trajtohen me dializë kanë një kosto 10.652 lekë për çdo seancë dhe nga 225.000 të parashikuar, janë trajtuar vetëm 67.125 pacientë.

Pacientët me probleme të syve kanë kosto prej 1.433 lekësh, ndërsa ato që trajtohen me radioterapi me kosto prej 100 lekësh. Dhe në këto dy shërbime, numri i trajtimeve reale ka qenë shumë më i ulët se parashikimi.

Kosto i ekzaminimit laboratorik llogaritet 287 lekë dhe janë kryer 1.47 mln të tilla nga 4.4 mln të parashikuara.

Nga ana tjetër, MSH raporton se janë paguar 515.7 mln lekë për spitalet private, rreth 32% e parashikimi vjetor, për disa paketa shërbimi.

Me listën e barmave të rimbursueshme për muajt janar-prill 2024 sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë trajtuar 392,075 pacientë, me një kosto prej 4,578 lekë për pacientë.

Numri i pacientëve me sëmundje kronike të trajtuara nga lista e barnave të rimbursueshme është shtuar rreth 12%.

Për rimbursimin e barnave të listës është shpenzuar 4.2 mld lekë nga 12 mld lekë ,ose 34.7% e planit vjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë