Punimet e fundit të seancës parlamentare të së hënës për këtë sesion parlamentar nuk iu shmangën as zhvillimeve që po ndodhin brenda PD-së.
Debati për projektligjin për statusin e femijëve u kthye në replika politike mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
“…Prej më shumë se 5 vitesh, ky (Rama) që qëndron mbrapa dhe Trekëndëshi i Bermudës janë përpjekur të ndërtojnë fasadën e një reforme në drejtësi, por pa gjyqtarë e prokurorë efektivë, me njerëz që japin garanci që nuk do të prekin asnjë nga brinjët e Trekëndëshit të Bermudës, me gjyqe si ai i Saimir Tahirit që nisin, por kurrë nuk bitisin e pastaj rinisin, me të pandehur të njoftuar prej vitesh nga media dhe opozita që sot janë në arrati në qofshin gjallë akoma e nuk kanë marrë plumbin kokës nga mafia e inceneratorëve dhe me një kokë turku që për ironi e ka mbiemrin Koka, që në fakt është bishti se koka është mbrapa meje. Nuk ka shpjegim tjetër. Në asnjë vend tjetër normal nuk ka edhe qytetari më i thjeshtë e kupton që 17 vendime brenda ditës nuk mund të ndodhin, nuk ka si të ndodhin, nëse koka është koka që është sot në pranga dhe jo ky që është prapa meje”, tha ndër të tjera Basha, duke shtuar se Kuvendi po synohet të shndërrohet nga mazhoranca në një foltore qesharake, sipas tij “kopje të foltoreve të tjera ku flitet për gjithçka përveçse për problemin e vërtetë”.
“400 milionë euro të mafias të inceneratorëve do të dilnin e do të tepronin për t’i dhënë zgjidhje një pjesë të problemeve të vogëlushëve shqiptarë, por në fakt këto para janë marrë nga gojët e vogëlushëve shqiptarë nga ky që sapo la me mallëngjim foltoren e mashtrimit…”, tha Basha

Ajo që replikoi me fjalën e Bashës ishte Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
“E keni futur opozitën në vallen e marrëzisë. Në kushtet e humbjes së legjitimitetit të të gjithë PD-së dhe kacafytjes mes dy hijeve, ju Basha e keni humbur mundësinë e një replike nga kjo shumicë. Duke iu lënë në avazin tuaj, unë po kthehem te një hero i vërtetë.
Arjan Sala ishte baba i një fëmije. Një ditë marsi të këtij viti ai u nis për në punë për të mos u kthyer kurrë më. Kamerat e siguruan teksa futej në zonën e rrezikut për të nxjerrë punonjësit nga magazina e qendrës, që po shkrumbohej. Sot ne propozojmë pr.ligjin për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, për të mbështetur fëmijët e atyre prindërve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Nuk ka mbështetje materiale që të mbushë zbrazëtinë e atyre fëmijëve, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndjehen të mbështetur për të hyrë në rrugën e jetës së tyre. Synimi ynë është t’iu ofrojmë përkujdesjen e shtetit fëmijëve të policëve, mjekëve, infermierëve, dëshmorëve të atdheut. Në themel të kësaj politike është nderimi më i lartë për fëmijët e atyre që për shtetin tonë japin gjithçka”, tha Spiropali.
Replikoi Basha sërish: “… Zonja 5 milionë, mburresh tavolinave se doli Drejtoreshë e Doganave me 5 milionë. Kam të paktën 3 muaj që u jap mundësinë që të provoni që nuk është akuzë. Ndaj, lëreni propagandën në këtë ditë ku duhet të ishin gjysma prej jush në SPAK dhe se kam fjalën thjesht në godinën e SPAK-ut, por në kafazin e SPAK-ut. Aty ku keni çuar njërin prej jush. Lëreni propagandën, jeni kapur në vjedhjen e shekullit. Keni çuar bishtin për kokë dhe koka kushedi ku ju ka shkuar. Keni çuar bishtin e peshkut për kokë dhe koka ka shkuar për peshk me Vuçiç, tek Luca më duket prapë. Kështu që lërini këto. Keni propozimin mbi tavolinë. E keni fare të thjesht. Jeni të pastër ju? Jeni ballëlartë ju, hajde shkojmë të gjithë para SPAK-ut, votoni një nen, dy nene sa janë, SPAK-u me detyrim merr në shqyrtim kontaktet e papërshtatshme dhe pasurinë e gjithsecilit prej nesh. Mos të ketë merak zonja 5 milionë. E fillojmë nga unë i pari, dhe e shohim si dalim para shqiptarëve…
Legjitimitetin nuk ta japin milionat e grabitura në dogana, legjitimitetin nuk ta jep as vota e blerë me paratë e oligarkëve apo të krimit të organizuar, as non grata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Legjitimiteti në këtë vend duhet të burojë nga qytetarët. Dhe që të burojë nga qytetarët hapi i parë është që të kemi një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Përmes një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, shqiptarët me 25 prill juve ju kanë shkarkuar. Ju kapeni pas 3 faktorëve. Pas bashkëpunimit të hapur me krimin e organizuar për të cilin jeni shënuar në të gjitha raportet përkatëse, pas korrupsionit galopant që ju ka pasuruar disa prej jush keni hyrë madje edhe nga shoqëria civile dhe jeni sot multimilionerë dhe përmes bashkëpunimit të hapur apo të fshehtë të Trekëndëshit të Bermudës. Kështu që e vetmja detyrë që ne kemi është që me mobilizimin më të madh të asaj pjese dërrmuese të shoqërisë që nuk ju sheh dot më me sy t’ua shkurtojmë orët një orë e më parë…
Ajo që ka ndodhur në familjen tonë politike, ajo që keni parë nuk është një proces deligjitimimi, por legjitimimi më i lartë, pastrimi i një force politike nga mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit. Ndërsa ajo që ju jeni për momentin nuk është shprehja e aspiratave të socialistëve shqiptarë për një shtet social me taksa të larta dhe shpenzime të larta publike krejtësisht në kundërshtim me bindjen tonë si Parti Demokratike, si pjesë e Partive Popullore Europiane por në fund të fundit një debat ideologjik që zgjat prej dekadash edhe në Europë. Jo! Ju jeni landfilli ku mblidhen bashkë interesat e krimit të organizuar, interesat e korrupsionit dhe kështu qëndroni krah më krah njëri-tjetrit dhe të shkuarës më të shëmtuar 30-vjeçarë të këtij vendi”
Më tej Basha tha: “Ndaj kur të merrni këtë foltore dhe të flisni për legjitimitetin e Partisë Demokratike mbani mend 2 gjëra. Kartat me të cilat hytë në këtë parlament jua keni djegur në dorë. Tani shqiptarët do t’ju djegin edhe ju si kartat e fundit të korrupsionit, të krimit të organizuar, armiq të përbetuar të mirëqenies së tyre. Zotimi ynë eshtë që ta bëjmë që një orë e më parë…”
“Deri dje ujërat kanë qenë të turbulluara, sot janë të pastra. Kurrë më parë nuk ka qenë më e qartë ndarja në politikën shqiptare. Nga njëra anë një Parti Demokratike e vendosur të lërë pas të shkuarën jo si parrullë por me shpirtin e vetëkritikës, përgjegjësisë dhe pendesës për kostot që i kemi shkaktuar qytetarëve shqiptarë. Dhe nga ana tjetër një përpjekje për t’u mbledhur të gjithë bashkë dhe për të ruajtur këtë status quo, për ta mbajtur Shqipërinë kështu siç e doni ju pa demokraci, pa gjykata, pa ekonomi, pa media, pa fjalë të lirë, pa shpresë për rininë, pa shëndetësi e jo më pa shëndetësi falas, pa arsim, pa zhvillim vetëm e vetëm të vazhdoni ta pickoni, ta kafshoni e ta trajtoni si plaçkën tuaj. Kjo ndarje e qartë është edhe ndarja e qartë në shoqëri. Ju jeni pakica absolute, ju jeni ilegjitimët, ju jeni ata që keni uzurpuar pa asnjë të drejtë dhe kundër çdo të drejte vendimmarrjen në këtë vend, që keni shkatërruar bashkëjetesën demokratike, që keni vrarë shpresën e sipërmarrjes për konkurrencë të lirë”.
“Kontrolloni gjuhën, temperamentin, nervin se nuk jemi në foltore këtu dhe mbi të gjitha kontrolloni gjuhën që e keni lëshuar fare që kur ju kanë lëshuar nervat.
Hijet politike apo kufomat non grata apo grata mund të vijojnë vallen e marrëzisë së tyre por s’mund të marrosin një popull e ne këtu që s’mund të ndalemi as për drejtësinë as ekonominë as punët që kemi për të kryer.
Meqë keni merak të posaçëm vetingun, së pari premtoni këtu që do votoni shtyrjen e afateve për vetingun, lërini përrallat me vetingje të shpikura nga ju nga halli se nuk është vetingu në politikë si bravat e dyerve të partive që mund t’i ndërroni sa herë humbni legjitimitetin e s’dini ca bëni, ne s’kemi ndërmend të ndalemi nga vallja juaj e marrëzisë”, replikoi serish Spiropali.
“Mos bërtit, mos bërtit se do të vijë koha të bërtasësh para gjyqtarëve. Ai proces do të përfundojë pavarësisht se po mundoheni ta pengoni. Do të përfundojë edhe procesi. Keni 5 vjet që e shtyni. Atje shko bërtit jo këtu. Toni im ka të bëjë me hipokrizinë tuaj”, ia ktheu Basha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



