Nga Gazeta 'Si'- Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve, u shpreh se “herët a vonë është e qartë se Kosova do të jetë një flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll më shumë në flamurin evropian”.
“Unë jam me origjinë nga bregu i Labërisë, kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni, e po kështu, secili nga ne është njëkohësisht nga Durrësi e Gjakova, nga Drenica e Shkodra, nga Korça e Peja. Sepse jemi një gjak e një gjuhë, një histori e një kulturë. Emocion i thellë për këtë mbledhje të përbashkët mes dy vendeve tona”, nisi fjalën e saj Spiropali.
Sipas saj, bashkimi i gjithë shqiptarëve është ende herët të ndodhë: “Mirë do ishte të takoheshim të gjithë shqiptarët, me miliona sa janë, por halli është se me arrit hiperbashkimin duket pak herët. Duhet me prit, kur nuk ke pulën, duhet të hash një shpend tjetër. Por, doni ju, që edhe ky shpendi tjetër qenka fort i shijshëm sot në këtë takim.
Shqiptarët kanë treguar vendosmëri të palëkundur për ta shndërruar shoqërinë e vet në shoqëri moderne dhe evropiane”.
Spiropali shtoi më tej se “Kosova është prioritet i Shqipërisë dhe suksesi i njërës gëzon edhe tjetrën”.
“Ne jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Herët a vonë është e qartë se Kosova do të jetë një flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll më shumë në flamurin evropian”, theksoi Spiropali.
Ajo gjithashtu foli edhe për raportet e Kosovës me Serbinë ndërsa shtoi se kjo e fundit duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
"Dialogu Kosovë-Serbi, në koordinim të plotë me partnerët tanë të përbashkët strategjikë, SHBA dhe BE, duhet të ketë medoemos si rezultat përfundimtar nënshkrimin e një marrëveshje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si edhe trajtimin e minoriteteve komform Kushtetutës.
Pa njohje të ndërsjellë dhe përfundimtare, pa dalje me guxim nga labirinthet artificiale që krijohen nga interesa të ditës, por edhe të votës, ky skaj i Evropës do të jetë gjithmonë një dhembje koke për banorët e tij.
Kemi bindjen e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces si një shtet me vizion euroatlantik, si një partner strategjik", tha Spiropali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.