Humor

Spektaklet humoristike në TV, “çështja është a po shesin nallane apo këpucë elegante?!”

Nga Luljeta Nelallari – “Ne nuk i nderojmë kurrë ata që na zbavitin ne, megjithëse ne mund të buzëqeshim me fuqitë e tyre”, do të shprehej Marguerite Gardiner, Kontesha e Blesingtonit për humorin.

Notat e humorit historikisht kanë ndikuar te njerëzit si një ilaç i shëndetit mendor. Në televizionet shqiptare, gjithmonë ka qenë e pranishme hapësira e humorit e në këtë kohë të pazakontë prej një viti, shqiptarëve u kanë shërbyer akoma më shumë këto spektakle për të thyer monotoninë e ditëve të vështira.     

Kohët e fundit shohim që nëpër televizionet shqiptare janë shtuar emisionet e humorit. Por a ka kaq shumë prurje të reja, aktorë, skenaristë? Si është cilësia e humorit dhe shikueshmëria në një kohë që emisionet gati-gati konkurrojnë njëri-tjetrin?

Për të shtjelluar këtë temë, Gazetasi.al ka folur me autorë, regjisorë dhe skenaristë të këtyre spektakleve, të cilët sjellin një tablo më të qartë të asaj çfarë ndodh me spektaklet humoristike në televizionet shqiptare sot.

“Mendoj se çdo emision i ri është një lajm i mirë. Përderisa funksionojnë dhe ndiqen nga shikuesit, tregon se ka mjaftueshëm aktorë, skenaristë dhe regjisorë për këtë fushë”, shprehet skenaristi historik i Portokallisë, Vangjel Kozma për Gazetasi.al, ndërsa shton se “unë vetë prej 30 vjetësh jam skenarist ose bashkëskenarist në të gjithë emisionet dhe spektaklet humoristiko-satirike në skenat, radiot dhe TV shqiptare. Kjo më ka dhënë mundësinë të njoh lindjen dhe rritjen e një brezi të mrekullueshëm aktorësh dhe skenaristësh që pa dyshim do të sjellin së shpejti edhe thyerjen e skemave ekzistuese të spektakleve aktuale, që kanë njëlloj përsëritjeje”.

Vangjel Kozma, skenaristi historik i “Portokallisë” në Top Channel

Shtimin e emisioneve, ai e lidh edhe me tregun, pasi sipas tij këtë “mall” e do tregu.

“Humori dhe satira skeniko-televizive, është pakrahasimisht më e mirë se ajo që bëhej para ‘90-ës ose para Portokallisë, kurse fakti që emisionet po shtohen, tregon se këtë ‘mall’ e do tregu”, vijon ai.

Ndër të tjera, Kozma thotë se “problemi sot është që të mos prodhojmë vetëm nallane, po edhe këpucë elegante, pavarësisht se ato i preferojnë ende një numër relativisht i vogël klientësh”.

Altin Basha, regjisor i emisionit më të ri humoristik “Kosherja” i sheh emisionet e humorit, jo vetëm një të mirë për televizionet, por edhe për komunitetin e artistëve.

“Humori vetëm mirë u bën televizioneve dhe në një kuptim është edhe në të mirë të komunitetit të artistëve sepse produksione të tilla janë mundësi për vende pune, të cilët u japin mundësi të rinjve, por edhe artistëve në zë që të punësohen dhe të tregojnë talentin e tyre”, shprehet Altin Basha për Gazetasi.al, ndërsa vë në pah se “emisione të tilla janë jo vetëm një pasuri për mediat televizive, por në tërësi për hartën kulturore, pasi i japin një dimension profesional prodhimit televiziv, nuk e lënë në mediokritet”.

Sa u përket prurjeve, Basha thotë se në sajë të Shkollës së Aktrimit dalin çdo vit profesionistë të rinj që punësohen në emisione.

Altin Basha, autor i emisionit humoristik “Kosherja” në ABC News

“Për prurjet e reja duhet t’i japim të gjithë bashkë një kredit të madh Shkollës së Aktrimit, e cila çdo vit zgjedh studentë të talentuar dhe profesionistë të rinj, të cilët më pas kërkojnë për t’u punësuar. Shkolla Shqiptare e Aktrimit me një modesti të panevojshme vazhdon të bëjë punën e saj, të ndjekë traditën e mjeshtrave tanë të mëdhenj të aktrimit dhe regjisë, punojnë çdo ditë në të mirë të brezit të rinj të artistëve shqiptarë. Rezultati i kësaj pune është fakti që në emisionet e humorit punësohen artistë të rinj të cilët kanë mbaruar në atë shkollë”, shprehet Basha për Gazetasi.al.

Shtimi i emisioneve sipas Bashës nxit edhe konkurrencë dhe larmi personazhesh e karakteresh.

“Larmia e emisioneve nxit konkurrencën, shumëllojshmërinë e karaktereve dhe të prodhimeve televizive”, vijon Basha, ndërsa shton se “ka shikueshmëri shumë të lartë, ka pasur gjithmonë, është një avantazh i televizionit për shkak të natyrës që ka për t’u ndjekur edhe në këtë kohë pandemie. Kam vënë re që dëshira për të parë gjëra të reja, dëshira për të reformuar traditën e humorit televiziv, ekziston”.

Për “Kosheren”, emisionin e ri në ABC News, ai thotë se është një projekt që mbështetet kryesisht te të rinjtë.

“Kosherja’ është një projekt që është mbështetur kryesisht nga të rinjtë, është mbështetur në një formë të re do ta quaja të të bërit humor, edhe nga pikëpamja e formatimit televiziv. Mendoj që ky emision shumë shpejt do të bëhet një referencë për fytyrat e reja të humorit shqiptar dhe një adresë e re për humorin televiziv”, përfundon Basha.

“Do të thosha se është shumë mirë që ka dhe krijohen emisione, por njëkohësisht duhet të ketë televizion që t’i mbështesë financiarisht sepse janë të kushtueshme dhe nuk përballohen asnjëherë me sponsorë, përveç kur ndihmohen nga qeveria apo bashkia me fonde speciale. Gjithsesi, për shqiptarët më mirë është të shikojnë e të qeshin se sa të jenë kaq të politizuar dhe me qindra emisione politike”, thotë për Gazetasi.al Agron Llakaj nga Al Pazar.

Sa u përket prurjeve, Llakaj shprehet se ka artistë të rinj, por ai ngre pyetjen a kemi aktorë që e kanë humorin në gen?

Agron Llakaj, autor dhe moderator i “Al Pazar” në Vizion Plus

“Aktorë ka dhe dalin të rinj që kanë dëshirë të luajnë në skenën e humorit, por këtu ka një diferencë, sepse kemi dy lloj aktorësh: aktorë që luajnë humorin dhe aktorë që humorin e kanë në gen. Te kjo e dyta prurjet janë të rralla. Për skenaristë ose shkrime humoristike edhe këtu është problem sepse është e vështirë dhe ndoshta këtu çalon edhe cilësia e materialeve humoristike, por unë them që një trupë humori me kalimin e kohës dhe viteve krijon atë pjekjen natyrale te aktorët, të cilët bëhen zot të personazheve që interpreton, brenda biografisë dhe gjeografisë ai shikon lëvizjen në hapësirë dhe kohë, dhe fillon dhe krijon pavarësinë e shkrimit të lëndës”, thotë ai.

Ndër të tjera, Llakaj thotë se janë emisione që orvaten rreth zhvillimeve të javës dhe dalin shpejt. Por sipas tij e kanë të fituar shikueshmërinë që në momentin që kthehen në emisione popullore.   

“Prej momentit që del për 5 ditë, natyrisht s’mund të presësh magji… Ne përtypim zhvillimet e ditës dhe të javës, për fat ngjarje ka, është një luftë e madhe mbijetese dhe dashurie për këtë zhanër, por n.q.s do lejohej një në muaj do ishte shumë më cilësore padyshim. Prej momentit që ndiqen dhe krijojnë termin ‘emisione popullore’, e kanë të fituar shikueshmërinë. Cilësia dhe niveli i bën të jenë më jetëgjatë përpara publikut”, argumenton më tej Llakaj për Gazetasi.al.  

Turjan Hyska, skenarist i Klanifornia, thotë se prurjet i përcakton tregu, ndërsa thekson se “Klanifornia” po arrin të ketë sukses.

Turjan Hyska, skenarist i “Klanifornia” në televizionin Klan

“Nuk më takon mua të përcaktoj sa prurje ka. Tregu përcakton gjithçka! Për sa i përket Klanifornias është aty ku duhet, me një kast fantastik që jam i lumtur që i kam. Programi i vetëm ku gjithë realiteti shqiptar përkthehet në nota humori, me qëllimin e vetëm të qeshim dhe të reflektojmë, pse jo dhe të godasim fenomene që dëmtojnë shqiptarët!”, shprehet për Gazetasi.al Turjan Hyska.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë