Nga Mendrit Shehu- Është përcaktuar në Zyrih të Zvicrës, shorti i kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2022, në Katar. Shqipëria pas hedhjes së shortit është pozicionuar në grupin I, ku kundërshtarë të saj janë Anglia, Polonia, Hungaria, Andorra dhe San Marino.
“Nuk ishim me fat në short, mund them se na ka penalizuar. Anglia është kokë grupi dhe dihej që do të kishim një ekip të fortë, ndaj pranohet. Polonia është shumë e fortë, na ra një nga më të fortat në vazon e dytë. Hungaria tani po bën shumë mirë, është një skuadër shumë në formë. Shpresoja të ishim në grup tjetër, na përshtateshin më shumë Danimarka e Kroacia. Gjithsesi, do të luajmë shanset tona me të gjithë, edhe pse duhet ta them se kemi pak shanse për vendin e dytë. Me San Marinon dhe Andorrën i llogaritin të gjithë pikë të plota dhe nuk ka nevojë për shumë komente”, – u shpreh trajneri Reja.
Po të nisemi vetëm nga historia e përballjeve së kombëtares sonë me këta kundërshtar atëherë shanset janë minimale për një kualifikim, sepse bilanci I kuqezinjve është negative me të tre rivalët kryesorë.
ANGLIA ( 4H)
Me Anglinë jemi ndeshur 4 herë, me statistikat që anojnë vetëm nga ana e ishullorëve. Për herë të parë jemi përballë në eliminatoret e Itali 1990. Shqipëria që atëherë drejtohej nga Shyqyri Rreli, ndeshjen e parë e luajti në Tiranë, e humbur me rezultatin 0-2.

Në numrin e marsit të vitit 1989, në prag të ndeshjes që Anglia do të zhvillonte në Tiranë, revista e mirënjohur “World Soccer” do ti dedikonte një shkrim kombëtares së Shqipërisë. Nëpërmjet gazetarit të mirënjohur Gëzim Nushi, do të publikohej një intervistë me trajnerin e kombëtares Shyqyri Rreli.

“Trajneri me një nga emrat më të çuditshëm në qarkullim, Shyqyri Rreli i Shqipërisë, ka një paralajmërim të qartë për Anglinë. Në një intervistë ekskluzive për World Soccer ai deklaron: “Kjo ndeshje do të jetë një ngjarje historike për futbollin shqiptar, sepse është hera e parë që Anglia, shtëpia e futbollit, do të vijë për të luajtur në Tiranë. Por, edhe pse kemi një respekt të madh për futbollin anglez, ne do të bëjmë çmos për të arritur atë, që mund ta quajmë një rezultat historik. Por, duhet të paralajmëroj edhe tifozët tanë. Kur nuk ke luajtur asnjëherë kundër një ekipi – nuk mund të dish gjithçka rreth pikave të forta dhe të dobëta të tyre. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ardhja këtu në Tiranë do të jetë e vështirë për Anglinë, por nga ana tjetër kjo ndeshje do të jetë gjithashtu e vështirë për ne. Mos harroni gjithashtu që Anglia ka ‘ambasadorin’ e tyre, Gary Lineker i cili ka luajtur katër herë me Barcelonën kundër klubit tonë Flamurtari, në garat evropiane.’’
Në Wembley të Londrës, kombëtarja u mund me rezultatin 5-0, një dramë tipike angleze, ku rezultati i thellë kaloi në plan të dytë nga debutimi në portë i 17 vjeçarit Blendi Nallbani, një ndeshje plot peripeci pas një goli të rrallë të Demollarit të anuluar padrejtësisht.

“Anglia kishte një prestigj që nuk është parë që prej 17 muajve më parë kur mundi 4-1 Jugosllavinë. Patjetër Nallbani nuk e kish aspak përgatitjen e portierit më të ri që është shfaqur në një ndeshje ndërkombëtare të plotë në ‘’Wembley’’. Shpëtimi i portës nga ana e tij me krahë, pozicioni i tij i saktë dhe mënyra autoritare, lanë përshtypjen e një pjekurie përtej viteve të tij’’- kështu do ta përshkruante ‘’Guardian’’ performancën e Nallbanit.

Dy ndeshjet e tjera, ishin ato për eliminatoret e Kore/Japoni 2002. Ndeshje të fituara nga anglezët. Në Newcastle kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-0, ndërsa në kthim për kuqezinjtë golin e vetëm e realizoi Rraklli. Ndeshja e Tiranës mori një vëmendje të veçantë nga shtypi anglez, pasi në delegacionin anglez ndodhej edhe aktori i njohur anglez Pitkini ( Norman Wisdom).

Wisdomi vizitoi qendrën stërvitore ku kamerat e zëna me filmimin e David Beckham, kthyen të gjitha objektivin drejt tij. E kur ai u ftua në fushë gjatë pushimit të pjesës së parë, Normani veshi një bluzë që mbante përgjysmë ngjyrat e Shqipërisë dhe në gjysmën tjetër ato të Anglisë. Ai u kthye në një figurë kulti në Shqipërinë komuniste, ku filmat e tij qenë ndër të paktët prodhime kulturore të Perëndimit, që lejoheshin të shfaqen në televizor. Thuhet se Enver Hoxha, ishte një fans i tij, pasi besonte që filmat e Wisdomit, ishin një paralele e luftës së klasave.

DATA | VENDI | KOMP. | NDESHJA | REZ. |
08.03.1989 | Tiranë | K.B 1990 | Shqipëri-Angli | 0-2 |
26.04.1989 | Londër | K.B 1990 | Angli-Shqipëri | 5-0 |
28.03.2001 | Tiranë | K.B 2002 | Shqipëri-Angli | 1-3 |
05.09.2001 | Newcastle | K.B 2002 | Angli-Shqipëri | 2-0 |
POLONIA ( 1F, 3B, 7H)
Historia me Poloninë nis në turneun e vjeshtës së 1949-tës. Një udhëtim në boshtin socialist Tiranë-Bukuresht-Varshavë-Sofje. 1-1 me Rumaninë, 0-0 me Bullgarinë dhe humbje 2-1 me Poloninë. Në humbjen ndaj Polonisë, trajneri Sllave Llambi, paçka se në hijen e asistentit Boris Aphutin, nxjerr për herë të parë nën fanellën e kuqe Skënder Jarecin e Teutës, vetëm 18 vjeç, i cili në të ardhmen do të bëhej një nga më të mirët e kombëtares.
Shqipëria regjistron edhe tre rezultate pozitive në historinë e gjatë të përballjeve me Poloninë. Kombëtarja do të zbriste në fushën e lojës në një ndeshje të sinkronizuar me rëndësinë e një dite po politike, 1 Maj 195. Shqipëri-Poloni 0-0 në Tiranë dhe Bik Jakova, i cili luan pa Llambin, Fagun e Voglin në mbrojtje, i ka të gjithë protagonistët e sulmit, Kavaja, Parapani, Gjinali, Borici, Bicaku apo Mirashi. Rezultati i ndeshjes përmblidhet tek analiza që i bën ‘’Sport’’ i Katovices: ‘’ Është vështirë të fitosh me një skuadër si ajo e Shqipërisë, sidomos në fushën e saj. Ky është suksesi i parë i Ludovik Jakoves’’.

Në vitet 50 ka një tërheqje drejt trajnerëve të huaj, ku ndikim ka patur raportet miqësore me vendet e kampit komunist. Kudo flitej për futbollin hungarez të Puscas. Të thirrje një trajner nga Hungaria në atë kohë konsiderohej privilegj. Shteti komunist vendos të emërojë Miklos Vadas, 45 vjeç, me synimin për ti dhënë Kombëtares stil hungarez. Nuk ishte një i panjohur. Anëtar i Këshillit të Trajnerëve të Hungarisë, Vadas kishte luajtur me skuadrat e Budapestit, ku Pasluftës drejton Kombëtaren B të Hungarisë dhe Ferencvarosin. Do ta drejtojë kombëtaren kuqezi në vetëm 10 ndeshje. Pas disa turneve në rang klubesh, Vadas do ta drejtojë Shqipërinë në të vetmen ndeshje kundër Kombëtares së një vendi tjetër. 29 Nëntor 1953, Shqipëri-Poloni 2-0. Në këtë ndeshje, debutojnë Simon Deda dhe Leonidha Dashi. Një javë më vonë, Shqipëria përsërit suksesin, duke fituar 2-0, por kësaj here në mënyrë të çuditshme ekipet do quheshin Tirana-Varshava. Me këtë ndeshje merrte fund historia shqiptare e hungarezit Miklos Vadas.

Suksesi i fundit ndaj Polonisë daton më 31 Tetor 1984, në Mielec të Polonisë, ku do të shfaqej Shqipëria fantastike e Shqyqyri Rrelit. Me golat e Kolës dhe Omurit dhe më portierin Musta në super formë, Shqipëria trondit vendasit që udhëhiqeshin nga Boniek. Ishte një periudhë e artë për futbollin në Shqipëri.

DATA | VENDI | KOMP. | NDESHJA | REZ. |
06.11.1949 | Varshavë | Miqësorë | Poloni-Shqipëri | 2-1 |
01.05.1950 | Tiranë | Miqësorë | Shqipëri-Poloni | 0-0 |
29.11.1953 | Tiranë | Miqësorë | Shqipëri-Poloni | 2-0 |
14.10.1970 | Chorzóë | K.E 1972 | Poloni-Shqipëri | 3-0 |
12.05.1971 | Tiranë | K.E 1972 | Shqipëri-Poloni | 1-1 |
31.10.1984 | Mielec | K.B 1986 | Poloni-Shqipëri | 2-2 |
30.05.1985 | Tiranë | K.B 1986 | Shqipëri-Poloni | 0-1 |
19.10.1988 | Chorzóë | K.B 1990 | Poloni-Shqipëri | 1-0 |
26.04.1989 | Tiranë | K.B 1990 | Shqipëri-Poloni | 1-2 |
29.05.2005 | Szczecin | Miqësorë | Poloni-Shqipëri | 1-0 |
27.05.2008 | Reutlingen | Miqësorë | Poloni-Shqipëri | 0-1 |
HUNGARIA (5H, 1B)
Përballja e parë me Hungarinë ka ndodhur më 20 Gusht 1947, në Kupën e Ballkanit. Fitojnë hungarezët ku vetëm 3 ditë më parë, kishin mposhtur Bullgarinë. Përballja e dytë është akoma edhe më interesante, pasi duhej të ishte Ndeshja e Shekullit. Sapo kishte lindur Hungaria e fenomenëve me Pușcaș, Hidegkuti, Grosic, Bozsik dhe Toth. Ajo që ishte ndeshja e shumëpritur rezultoi një zhgënjim, sepse në Tiranë zbriti një Hungari eksperimentale. Hungaria kryesore merrte pjesë njëkohësisht edhe në atë që quhej Dr. Gero International Cup, një turne që përfshinte skuadrat jo socialiste të Evropës Qendrore, Italinë, Austrinë dhe Zvicrën. Ajo do të luante dy ndeshje brenda një dite: në Budapest me Çekosllovakinë finalen e kompeticionit dhe në Tiranë për Kampionatin Ballkanik, të cilën e barazon 0-0. Në Tiranë ekipin e drejton zv.trajneri, Kiraj.

Pikërisht me kombëtaren e Hungarisë, kemi pësuar humbjen më të thellë në histori, siç ishte ajo 12-0 në një miqësore të zhvilluar më 24 shtator 1950. Më 5 Tetor 1950, Shqipëria e Bik Jakoves do të mundej nga Rumania me rezultatin 6-0. Pas këtyre dy humbjeve poshtëruese, të gjithë i pret gjyqi i madh. Përjashtime, akuza për mos impenjim, ‘’moszbatimin e eksperiencës sovjetike’’. Këtu merr fund historia e Kombëtares të viteve ’40. Shqipëria vetëpërjashtohet nga aktivitetet sportive, ku që nga 1950 deri në 1963, zhvillon vetëm 5 ndeshje.

Gjithashtu një statistikë tjetër e veçantë me Hungarinë është se nuk kemi arritur t’iu shënojmë asnjëherë gol, pasi ndeshjet janë mbyllur: 3-0, 12-0, 2-0, 0-1, 0-1 dhe barazimi i vetëm 0-0 më 23 maj 1948, kupën e Ballkanit.
DATA | VENDI | KOMP. | NDESHJA | REZ. |
20.08.1947 | Budapest | K.BALK | Hungari-Shqipëri | 3-0 |
23.05.1948 | Tiranë | K.BALK | Shqipëri-Hungari | 0-0 |
24.09.1950 | Budapest | Miqësorë | Hungari-Shqipëri | 12-0 |
11.10.2008 | Budapest | K.B 2010 | Hungari-Shqipëri | 2-0 |
28.03.2009 | Tiranë | K.B 2010 | Shqipëri-Hungari | 0-1 |
04.06.2014 | Budapest | Miqësorë | Hungari-Shqipëri | 1-0 |
ANDORRA (3F, 1B, 1H)
Andorra natyrisht nuk mund të ketë bilanc pozitiv kundër Shqipërisë me tre humbje, një barazim e një fitore. Përballja e parë me skuadrën andorrase ka qenë gjatë turneut ‘’Malta International Football Tournament’’ ose siç quhej ndryshe Trofeu Rothmans, për shkak të sponsorit, me rezultatin 3-0. Pas fitoreve me Andorrën, 1-0 me Azerbajxhanin dhe 1-0 me Maltën, Kombëtarja jo vetëm do të arrinte fitoren e tretë radhazi gjatë këtij turneu, por do të ngjitej në krye të renditjes me 9 pikët e grumbulluara. Në këtë mënyrë, kuqezinjtë fitonin një trofe, pas 54 vjetësh, pas fitores së Kupës Ballkanike më 1946.

Fitorja e vetme e Andorrës është historike për ta. Me humbjen 2-0, kombëtarja jonë shkroi faqen më të zezë të historisë së saj. Një kombëtare e shpërfytyruar i dha mundësinë vendit prej 77 mijë banorësh që të festonte një nga ngjarjet më të mëdha të asaj kohe, një fitore në arenën ndërkombëtare që mungonte prej kohësh. Andorra e vogël, me madhësi dhe densitet banorësh sa një lagje e Tiranës, arriti të fitonte krejtësisht pastër, me nga një gol në çdo pjesë. Të nesërmen, Duka duke ushtruar pushtetin që i jep funksioni, shkarkoi Demollarin dhe tërë stafin e tij, si përgjegjës për këtë humbje të turpshme. Vendin e tij do ta zinte italiani Dossena.

DATA | VENDI | KOMP. | NDESHJA | REZ. |
06.02.2000 | Attard | Rothmans | Shqipëri-Andorrë | 3-0 |
17.04.2002 | Andorra la Vella | Miqësorë | Andorrë-Shqipëri | 2-0 |
02.06.2010 | Tiranë | Miqësorë | Shqipëri-Andorrë | 1-0 |
25.03.2019 | Andorra la Vella | K.E 2020 | Andorrë- Shqipëri | 0-3 |
14.11.2019 | Elbasan | K.E 2020 | Shqipëri-Andorrë | 2-2 |
SAN MARINO (2F)
Me San Marinon vetëm dy miqësore, por që vlejnë po aq fitore me vetëm një rezultat: 3-0. Kështu, kundër tyre kemi bilancin e vetëm me portën të paprekur, traditë që me shumë mundësi do të vazhdojë edhe gjatë rrugëtimit për në Katar 2022. Gjatë vitit 2020 në program ishte për tu luajtur edhe një tjetër miqësore, por u anulua për shkak të pandemisë.

DATA | VENDI | KOMP. | NDESHJA | REZ. |
16.08.2006 | Serravalle | Miqësorë | San Marino-Shqipëri | 0-3 |
08.06.2014 | Serravalle | Miqësorë | San Marino-Shqipëri | 0-3 |
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.