Bota

‘Spastrimet’ në Pentagon prekin edhe shefin e Shtabit të Ushtrisë  

Gazeta Si – “Spastrimet” ndodhin edhe në nivelet më të larta të ushtrisë amerikane. Pas riorganizimit të vogël të kabinetit të Trump, i cili fillimisht shkarkoi Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem dhe më pas, të enjten, Prokuroren e Përgjithshme dhe Sekretaren e Drejtësisë, Pam Bondi, edhe Shefi i Mbrojtjes, Pete Hegseth po bën spastrime.

Ai njoftoi fillimisht se i kishte kërkuar Randy George, Shefit të Shtabit të Ushtrisë amerikane – autoriteti më i lartë ushtarak në vend – të jepte dorëheqjen.

Më pas ai shkarkoi dy gjeneralë të tjerë: Gjeneral Major, William Green dhe komandantin e Komandës së Transformimit dhe Stërvitjes së Ushtrisë, David Hodne.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë në mediat sociale se Randy George do të dalë në pension nga pozicioni i tij si Shefi i 41-të i Shtabit të Ushtrisë “duke filluar menjëherë”.

Mandati i Shefit të Shtabit të Ushtrisë është normalisht katër vjet. George, një oficer karriere dhe i diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point, u nominua për këtë rol në vitin 2023 nga Joe Biden.

Arsyeja e kërkesës për dorëheqje nuk është ende e qartë. Parnell deklaroi vetëm se “Departamenti i Luftës është mirënjohës ndaj Gjeneralit George për dekadat e tij të shërbimit ndaj kombit tonë. I urojmë atij fat të mbarë në pension”.

Ky “riorganizim ushtarak” vjen në mes të luftës në Iran: pasi Trump, në një fjalim drejtuar kombit, deklaroi se lufta do të përfundojë “shumë shpejt”.

George shërbeu si oficer këmbësorie në Luftën e parë të Gjirit dhe në konfliktet e fundit në Irak dhe Afganistan.

Sipas mediave amerikane, zëvendësi i tij, gjenerali Christopher LaNeve, do të marrë detyrën e Shefit të Shtabit në detyrë.

Që kur mori detyrën në Pentagon, Hegseth ka shkarkuar zyrtarë të shumtë. Vitin e kaluar, Gjenerali Lejtnant i Forcave Ajrore, Jeffrey Kruse, kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Pentagonit, u lirua nga detyrat e tij pasi një vlerësim fillestar nga agjencia në qershor, tregoi se sulmet e SHBA-ve kundër objekteve bërthamore iraniane kishin qenë më pak të gjera nga sa kishte pretenduar Trump.

Më parë, Zëvendës Admiralja, Shoshana Chatfield, përfaqësuesja ushtarake amerikane në Komitetin Ushtarak të NATO-s, ishte shkarkuar për shkak të “humbjes së besimit në aftësitë e saj udhëheqëse”; Gjenerali i Forcave Ajrore, Timothy Haugh, i cili drejtoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Komandën Kibernetike të SHBA-ve; Admiralja Lisa Franchetti, komandante e Marinës; dhe Admiralja Linda Fagan, kreu i Rojës Bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë