Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar me gjuhë të ashpër lidhur me një deklaratë të publikuar nga institucioni homolog në Serbi.
Në një reagim të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, si përgjigje ndaj presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, përmendej edhe Shqipëria duke rikthyer në vëmendje raportin e Dick Marty-t ku pretendohen prova konkrete mbi rrëmbime dhe trajtime çnjerëzore të serbëve të kapur e të dërguar në Shqipëri.
Në reagimin serb pretendohej se Shqipëria dhe më tepër Kosova, kanë nxitur gjuhën e urrejtjes në rajon si dhe spastrim etnik në vend.
Ministria e Jashtme në Shqipëri i hedh poshtë këto raporte të shkruara në deklaratë.
Shqipëria i kujton Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.
“Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike.
Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Sipas Ministrisë shqiptare çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit.
MEPJ shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë,
“Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.
Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”, përfundon njoftimi i Ministrisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




