Kryendeshja e Ligës A në Ligën e Kombeve, Spanjë-Angli, është mbyllur me fitoren e “Tre luanëve”, 2-3. Ndeshja e luajtur në stadiumin e Seviljes ka marrë një rrjedhë të paparashikuar në pjesën e parë. Anglia ka shënuar tri herë në portën e De Geas, kur kishin kaluar vetëm 38 minuta lojë, duke e tronditur fort Spanjën, që në pjesën e dytë vetëm sa ka shkurtuar diferencën.
Sulmi i anglezëve ka qenë i papërmbajtshëm, ku treshja Stirling-Rashford-Kejn ka vënë në vështirësi serioze Serxhio Ramosin me shokë. Stirling shënoi dy herë, Rashford një herë, ndërsa kapiteni Kejn ka shërbyer për ta. Trajneri Luis Henrike dhe tifozët spanjollë nuk u kanë besuar syve, kur kanë parë rezultatin 0-3 pa u mbyllur pjesa e parë. Në pjesën e dytë Spanja ka shkurtuar diferencën e golave me sulmuesin Pako Alkaser, i futur në fushë si zëvendësues, ashtu si dhe Sebajos dhe Morata. Ramos shënoi golin e dytë në shtesë për spanjollët, të cilët nuk mundën ta shmangnin humbjen. Anglia e ka mbrojtur rezultatin, por sërish e para në grup mbetet Spanja me 6 pikë pas 3 ndeshjesh. Anglezët kanë 4 pikë, kurse Kroacia 1 pikë, por ka një ndeshje më pak.
Janë luajtur ndërkohë edhe disa ndeshje të tjera të Ligës së Kombeve. Në Ligën A, Zvicra ka fituar 1-2 në fushën e Islandës, por asnjëri nga lojtarët shqiptarë nuk ka mundur të realizojë. Seferoviç dhe Lang shënuan golat e fitores për Zvicrën. Në grupet e tjera, Bosnja mundi 2-0 Irlandën e Veriut, Greqia u mposht 2-0 në Finlandë, ndërsa Estonia dhe Hungaria barazuan 3-3.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.