Futboll

Spanja shpallet kampione bote në futboll për femra për herë të parë në histori

Gazeta Si – Një gol i shënuar nga Olga Karmona në finalen ndaj Anglisë e ka shpallur Spanjën kampione bote në futboll femrash për herë të parë në histori. Ndeshja e luajtur në ‘Olympic Stadium’ të Sidneit ishte mjaft e luftuar, në fund festa ishte e gjitha për iberiket e drejtuara nga trajneri Vilda, pas fitores 1-0.

Kur kishte kaluar gati gjysmë ore lojë, Karmona shfrytëzoi një aksion pa shumë pretendime nga e majta dhe e çoi topin në rrjetë me një goditje diagonale tokazi. Presioni më pas kaloi tek anglezet, në fushë u fut në pjesën e dytë edhe Xhejms, por Spanja u mbrojt shumë mirë.

Spanja feston golin e fitores ne finalen ndaj Anglise. Gazeta Si, 20 gusht 2023

Në minutën e 69-të spanjollet kishin shansin ta mbyllnin ndeshjen, por Hermoso gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Gjuajtja e saj u prit nga portierja angleze Hearps. Përpjekjet e Anglisë ishin të kota, loja e saj ishte konfuze dhe as 13 minutat shtesë nuk e ndryshuan rezultatin.

Spanja ka fituar kështu për herë të parë në historinë e saj trofeun më të rëndësishëm në futboll për femra, Kupën e Botës. Dëshpërim dhe lot në kampin anglez për humbjen në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë