Lojëra me Dore

Spanja shkruan historinë, kampione Europe në basketboll për herë të 4-t

Gazeta Si – Spanja shpallet kampione Europe në basketboll për meshkuj. Hera e 4-t në histori. Franca u mund 88-76 në një finale, që Spanja e komandoi nga fillimi deri në fund. Uilli Hernangomez u shpall lojtari më i mirë i kompeticionit, por ‘heroi’ i finales ishte vëllai i tij, Janço.

Kryevepra e ‘Furive të kuqe’ ka sjellë titullin e 4-t në 6 edicionet e fundit. Një konfirmim ky për një shkollë, që duket se nuk ezaurohet kurrë.

Spanja, kampione Europe. Gazeta Si, 19 shtator 2022

Franca duhet të përulet para shpirtit dhe organizimit të një skuadre solide. Të gjithë luajnë njësoj prej shumë vitesh, nën udhëheqjen e Serxho Skariolos, trajnerit italian që tashmë është një legjendë. Me titullin e 4-t ai kalon Ivkoviç dhe barazohet me Stepan Spandarjan, gurunë sovjetik të pasluftës.

Përpara mbetet vetëm koloneli Gomelskij, me 6 titujt e fituar me ish-Bashkimin Sovjetik. Në erën modern është Skariolo ai që ka shkruar historinë dhe këtë herë ka fituar titullin më të bukur, më të papriturin, duke parë revolucionin te gjenerata e lojtarëve.

Pa Navarro, vëllezërit Gasol, Rodriguez dhe të dëmtuarit Rubio dhe Lul, Skariolo diti të rindërtojë një skuadër fituese, me në krye Lorenco Braun dhe dy vëllezërit Hernangomez.

Uilli Hernangomez u shpall edhe lojtari më i mirë i Euroipianit, ndërsa në finale shkëlqeu vëllai i tij Janço, me 27 pikë të shënuara. Çerekorëshin e parë Spanja e mbylli 23-14 dhe tre të tjerët vazhduan në ekuilibër. Kur shkoi +21, titulli u duk në ‘xhep’ për Spanjën, por Franca reagoi duke shkurtuar deri në -6 (57-63).

Lorenco Braun, ‘heroi’ i gjysmëfinales me Gjermaninë, i dha frymëmarrje Spanjës më pas. Ai realizoi 14 pikë dhe dha 11 asiste. Dhe kështu festa nisi me lotët e 37-vjeçarit Rudi Fernandez, edhe ai me 4 tituj europianë të fituar tashmë. Mbretëria e Spanjës duket se nuk do të përfundojë kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë