Gazeta Si – Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka refuzuar propozimin e NATO-s që vendet anëtare të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së, duke e quajtur këtë ide “jo vetëm të paarsyeshme, por edhe joproduktive”.
Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Sanchez kërkon një formulë që e bën objektivin opsional ose që i jep të drejtë Spanjës të përjashtohet nga ky detyrim.
“Angazhimi për një objektiv prej 5% jo vetëm që do të ishte i paarsyeshëm, por edhe joproduktiv, pasi do ta largonte Spanjën nga shpenzimet optimale. Është e drejta legjitime e çdo qeverie të vendosë nëse është apo jo e gatshme të bëjë këto sakrifica. Si një aleat sovran, ne zgjedhim të mos e bëjmë këtë”, deklaroi Pedro Sanchez.
Në letër thuhet gjithashtu se objektivi prej 5% do të dëmtonte përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndërtuar një industri të pavarur të mbrojtjes, duke shtyrë vendet anëtare të blejnë pajisje ushtarake jashtë bllokut.
Aktualisht, Spanja shpenzon vetëm rreth 1.3% të PBB-së për mbrojtje, shumë më pak se objektivi ekzistues i NATO-s prej 2%.
Nga ana tjetër, Mark Rutte ka kërkuar që vendet anëtare të bien dakord për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Disa vende të NATO-s kanë shprehur gatishmëri për ta përmbushur objektivin, ndërsa Italia ka kërkuar që afati të shtyhet deri në vitin 2035.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.