Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, Spanja është treguar e gatshme të njohë Kosovën, në këmbim të një kushti të vështirë.
Mediat spanjolle raportojnë se Madridi ka kërkuar që Kosova të ndërtojë një kamp të madh refugjatësh, për pritjen e fluksit të emigrantëve nga Afganistani. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta spanjolle “OkDiario”, e cila thotë së Madridi zyrtar premton në këmbim njohjen e Kosovës. Plani ka fituar mbështetjen e BE si dhe vendeve të tjera që nuk e njohin Kosovën, si Sllovakia apo Greqia.
Qeveria spanjolle e Pedro Sanchezit u ofrua në muajin gusht që të jetë një nga vendet pritëse të refugjatëve nga Afganistani, por është tërhequr, duke u përpjekur të ndryshojë drejtimin e kalimit të refugjatëve në shtete të tjera. Sipas “OKDario”, qeveria spanjolle është duke punuar në një plan, që bashkë me Bashkimin Evropian, të hapin një kamp të madh refugjatësh në Kosovë.

“Spanjës do të bashkëpunojë me Kosovën për menaxhimin dhe ndërtimin e kampit. Burime diplomatike thonë se bisedimet janë në fazë të avancuar”, shkruan gazeta spanjolle. “Vendi për ndërtimin e një kampi të tillë është zgjedhur Kosova”.
Tashmë Kosova ka rënë dakord për strehimin e rreth 2000 afganë për deri në një vit, por gazeta thotë se numri i afganëve që do të strehohen në Kosovë mund të arrijë në mijëra.
“Më vonë do të dërgoheshin në shtetet e BE-së nëpërmjet një sistemi për të cilin ende s’ka marrëveshje. Shumë detaje megjithatë nuk janë negociuar ende”, shkruan gazeta.
Në fakt, sipas gazetës Kosova ende s’ka pranuar propozimin por qeveria spanjolle parashikohet se Prishtina “do ta mirëpriste” në këmbim të njohjes nga Spanja.
Raportet vijnë ndërkohë që shumë vende europiane tashmë kanë filluar të përgatiten për ardhjen e qindra mijëra-ndoshta edhe miliona-refugjatë dhe emigrantë nga vendi i shkatërruar nga lufta.
Sipas Ministrit të Brendshëm gjerman Horst Seehofer, ky numër mund të arrijë në mbi në 5 milion refugjatë që do të nisen drejt Evropës në muajt e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




