Ekonomi

Spanja i kërkon BE-së të ulë kostot e energjisë për të mos mbetur peng i Putinit

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se liderët europianë duhet të veprojnë për uljen e çmimit të naftës që të ndalojnë kthimin e Europës në një “peng” të Vladimir Putin.

Sanchez tha se një samit që do të nisë të martën e 22 marsit, synon stabilizimin e këtyre çmimeve përfshirë naftën për qytetarët e vet dhe reduktimin e varësisë nga Rusia.

“Nëse BE-ja nuk na ndihmon me mekanizma për të përballuar këtë emergjencë, do të jetë e vështirë jo vetëm për Spanjën, por për të gjithë vendet që t’i shmangen një dëmi gjigand ekonomik”, tha ai për FT.

Moska ka luftuar për të rritur çmimet e energjisë në Europë duke mbajtur rezerva të pakëta gazi si një politikë paralufte.

“Nëse industritë po ngadalësojnë prodhimin e tyre nuk është për shkak të kërkesës, por për shkak të rritjes së kostove të energjisë që janë të pamenaxhueshme”, – tha kryeministri spanjoll.

Komisioni Europian do të bëjë publik të mërkurën propozimet e anëtarëve për tu përballur me krizën energjitike.   

Sanchez foli para se të nisej për në Bruksel. Ai po përballet me presion në shtëpinë e tij. Mijëra fermerë kanë dalë në protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë.

Spanja është e ndjeshme për sa i përket energjisë elektrike sepse rreth një e treta e të gjitha familjeve paguajnë tarifa të lidhura me tarifat e tregut spot direkte nga bursa, që do të thotë se faturat kanë qenë të larta për muaj të tërë.

Lufta në Ukrainë ka komplikuar tentativat e Spanjës për tu rikuperuar nga dëmi ekonomik të shkaktuar nga pandemia. Spanja është një ndër përfitueset e fondit të BE-së, 24.6 mld euro, por ende nuk i janë disbursuar.

Burimi: Financial Times/ Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë