Muzike

Spanja dhe Belgjika akuzojnë Eurovizion-in për manipulim të televotimit

Përveç RTVE-së, edhe televizioni Flamand VRT, pjesë e radiotelevizionit belg, ka kërkuar transparencë nga Bashkimi Europian i Transmetuesve (EBU). VRT, që ndërpreu transmetimin gjatë performancës së Izraelit për të denoncuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza, deklaroi se “në formën aktuale, Eurovision po largohet nga ideali i tij si një event unifikues dhe apolitik”. Nëse nuk ka përgjigje të qartë nga organizatorët, VRT paralajmëron se do të rishikojë pjesëmarrjen e saj në të ardhmen.

Nga Gazeta “SI”– Eurovizion mbrohet nga kritikat, ndërsa polemikat për pikët maksimale ndaj Izraelit nxisin debate për besueshmërinë e televotimit dhe rolin e politikës në festival.

Pas përfundimit të Festivalit Europian të Këngës 2025, ku Izraeli u rendit i dyti falë mbështetjes së madhe nga televotimi, Radio Televizioni Publik Spanjoll (RTVE) ka kërkuar zyrtarisht transparencë të plotë për mënyrën se si janë shpërndarë votat. RTVE kërkon të hapet një debat për vlefshmërinë e sistemit të televotimit dhe ndikimin që mund të kenë konfliktet e armatosura në perceptimin e publikut.

Eurovizion, nga ana tjetër, ka dalë në mbrojtje të sistemit aktual të votimit. Martin Green, drejtori i festivalit, u shpreh se televotimi i përdorur është “më i avancuari në botë” dhe se çdo rezultat verifikohet nga një ekip i specializuar për të shmangur çdo shkelje apo anomali. Ai siguroi se firma holandeze Once.net, që mbikëqyr procesin, ka konfirmuar vlefshmërinë e të gjitha televotimeve si në Evropë ashtu edhe në pjesën tjetër të botës.

Për të dytin vit radhazi, televotimi i dha pikët maksimale Izraelit, i cili këtë vit grumbulloi 297 pikë nga publiku, ndërkohë që juria profesionale i akordoi vetëm 60. Spanja ishte një ndër 13 vendet që i dhanë Izraelit 12 pikë, duke shtuar më tej presionin mbi RTVE-në, e cila po përballet me pyetje të ashpra nga publiku dhe mediat.

Përveç RTVE-së, edhe televizioni Flamand VRT, pjesë e radiotelevizionit belg, ka kërkuar transparencë nga Bashkimi Europian i Transmetuesve (EBU). VRT, që ndërpreu transmetimin gjatë performancës së Izraelit për të denoncuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza, deklaroi se “në formën aktuale, Eurovizion po largohet nga ideali i tij si një event unifikues dhe apolitik”. Nëse nuk ka përgjigje të qartë nga organizatorët, VRT paralajmëron se do të rishikojë pjesëmarrjen e saj në të ardhmen.

Zërat kritikë janë shtuar edhe në nivel politik. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, reagoi ashpër ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në festival, duke e krahasuar me rastin e përjashtimit të Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.

“Kur nisi pushtimi rus, askush nuk u çudit që u kërkua përjashtimi i saj nga ngjarjet ndërkombëtare, përfshirë Eurovizionin. E njëjta gjë duhet të vlejë për Izraelin. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta,” u shpreh Sánchez.

Festivali i Eurovizionit, që për dekada është konsideruar një arenë ku muzika bashkon vendet përtej politikës, po përballet sot me një realitet ku krizat ndërkombëtare dhe ndarjet gjeopolitike ndikojnë drejtpërdrejt në skenë.

Organizatorët janë zotuar se pas përfundimit të edicionit 2025, i cili këtë vit u mbajt në Bazel, do të hapin një diskutim të gjerë për të reflektuar mbi formatin dhe mekanizmat e votimit, në prag të edicionit të ardhshëm që do të mbahet në Austri.

Burimi: HUFFPOST


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë