Gazeta Si – Policia kombëtare spanjolle dhe ekuadoriane ka arrestuar Wilmer Geovanny Chavarría Barre, i njohur si Pipo, në Malaga të Spanjës.
Ai është një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Ekuador dhe udhëheqësi i organizatës kriminale më të fuqishme të vendit, Los Lobos.
Ai u arrestua në aeroportin e Costa del Sol, ku kishte mbërritur së fundmi nga Maroku me një identitet të rremë.
Presidenti ekuadorian, Daniel Noboa shpjegoi se Chavarría koordinoi disa operacione të paligjshme të minierave dhe trafikimit të drogës me kartelin meksikan Jalisco Nueva Generación.
Ministri i Brendshëm, John Reimberg shtoi se Chavarría besohet të jetë përgjegjës për afërsisht 400 vrasje dhe akuzohet për organizimin e akteve kriminale nga burgu midis viteve 2011 dhe 2019, duke përfshirë disa sulme me bomba makinash dhe dronë në Guayaquil, një qytet bregdetar në Ekuadorin perëndimor.
Sipas informacioneve, vitet e fundit, Chavarría kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë duke falsifikuar vdekjen e tij.
Më pas, ai mori një identitet të ri venezuelan dhe një pasaportë kolumbiane, të cilën e përdori për të udhëtuar në Spanjë.
Policia kombëtare tha se po priste një kërkesë për ekstradim nga Interpoli, organizata ndërkombëtare me të cilën bashkëpunojnë forcat policore nga pothuajse çdo vend në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



