Futboll

Spaleti zbardh listën me 29 lojtarë, ka surpriza në grumbullimin e Italisë

Gazeta Si – Trajneri Luçiano Spaleti ka publikuar listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës. Dy janë të rejat më të rëndësishme në listën e tij, Andrea Kolpani i Moncës dhe Andrea Kambiaso i Juventusit, të cilët debutojnë me ‘axurrët’.

Për t’u evidentuar janë mungesa e madhe e Çiro Imobiles dhe rikthimet e Davide Kalabrias, që mungonte që prej qershorit të 2022-shit, Buonxhornos, Toloit dhe Zhorzhinjos, të cilët rigjejnë fanellën e Italisë 5 muaj pas Finals të Ligës së Kombeve.

Italia pret Maqedoninë e Veriut të premten e 17 nëntorit në ‘Olimpico’, më 20 nëntor pastaj luan sfidën vendimtare me Ukrainën në Leverkusen. Në lojë është vendi i dytë i Grupit C, që vlen kualifikimin direkt në Gjermani 2024.

‘Axurrët’ e kanë fatin në dorën e tyre. Nëse mundin Maqedoninë e Veriut, do të mjaftonte edhe barazimi ndaj Ukrainës për vendin e dytë. Barazimi ose humbja ndaj Maqedonisë së Veriut, do ta kthente në detyrim fitoren me Ukrainën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë