Gazeta Si – SPAK ka shtyrë për herë të tretë hetimet ndaj ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili u arratis nga Shqipëria në korrik 2023, pas urdhër-arrestit ndaj tij, ku u shpall në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion, lidhur me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.
Tashmë SPAK ka afat deri më 23 qershor për të plotësuar hetimet për Arben Ahmetajn, i cili aktualisht ndodhet në Zvicër ku ka dorëzuar kërkesën për të fituar azil politik.
Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, ndërmori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare. Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.
Më 13 korrik 2023, Parlamenti miratoi me 117 vota pro, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Arben Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij.
Në datat 15, 16 dhe 17 korrik, prokuroria iu drejtua gjykatës me tri kërkesa, për firmosjen e urdhër arrestit, kryerjen e kontrolleve në 7 banesa dhe sekuestrimin e 6 pasurive në emër të ish-zv.kryeministrit, ish gruas së tij, Albina Mançka dhe bashkëjetueses, Erjola Hoxha.
Sipas SPAK, Ahmetaj akuzohet se ka përfituar shumën prej prej 170.480 euro në vitet në vitin 2016 dhe 2017, përmes një “shitje” të dy apartamenteve me sip 124.15 m2 dhe me sip 148.8 m2 në Selitë.
Një tjetër përfitim i Ahmetajt, sipas SPAK, ka qenë trualli 521.13 m2 dhe ndërtesa 98 m2, në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK lidhur me aferën e inceneratorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.