Drejtësia

SPAK zgjat me 3 muaj hetimet për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci

Gazeta Si – SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj hetimin për kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pasi dyshohet se po hetohet për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë.

Hetimi ndaj kryebashkiakut të Shkodrës është në kuadër të një dosjeje që lidhet me dyshime për parregullsi në procedurat e prokurimeve publike.

Benet Beci nuk ka reaguar ende publikisht mbi këtë zhvillim, ndërsa në paraqitjen e tij të mëhershme në SPAK, deklaroi se “do të flasë në momentin e duhur”.

Procedimi penal ndaj tij u regjistrua më 23 tetor 2024, ndërsa më 23 prill 2025, prokurori Dritan Prençi firmosi kalimin e tij në statusin e të pandehurit. Beci akuzohet për një tender me vlerë 700 mijë euro, dhënë në vitin 2019, me objekt një projekt kërkimor për zhvillimin strategjik të sektorit energjetik.

Përveç kryebashkiakut Beci, nën hetim ndodhen edhe disa zyrtarë të tjerë, që kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin në fjalë.

Para se të bëhej kryebashkiak (maj 2023), ai ka qenë drejtor në Fondin Shqiptar të Zhvillimit për 13 vite. Rol drejtues ka patur edhe në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë