Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Posaçme zgjat me 3 muaj hetimet për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar prej 21 tetorit 2024. Ish-presidenti akuzohet për lobimi në SHBA për partinë ish-LSI dhe dosjën CEZ-DIA.
Lajmin e konfirmoi sot (9 qershor) avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani, i cili dha edhe një deklaratë për mediat, duke u shprehur se do e ankimojnë vendimin e Prokurorisë dhe do e kundërshtojnë si të paligjshëm.
Ai vuri theksin tek mbajtja e paligjshme në paraburgim e Metës edhe pas më shumë se 7 muaj nga arrestimi dhe komunikimi tashmë i akuzës, duke u shprehur i befasuar nga vendimi më i fundit i organit të akuzës.
Sipas Cakranit, SPAK shprehet se po pret informacione dhe prova, një prej tyre një ekspertim për ish-vjerrën e Metës.
“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim. Presidentit i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë me 6 muaj, erdha dhe më dhanë vendimin sot. Problemi qëndron pse mbahet presidenti ende në paraburgim, ai nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet?
Ju e dini pse mbahet, çështja është politike, edhe mënyra se si u arrestua ishte politike, sikurse edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit. Presidenti Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike. Hetimet kanë nisur 6 vitet më parë. Çështja hetohet nga Tirana dhe jo SPAK, por SPAK po të donte kishte hetuar policët që rrëmbyen presidenti. Inkuizicioni që po bëhet ndaj Metës është i paprecedentë në botë. Është e pamoralshme dhe joligjore ta mbash ende në paraburgim”, tha Cakrani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.