Drejtësia

SPAK zbulon si u identifikuan Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj në ‘Sky ECC’

Gazeta Si – Në gjyqin e radhës për Plarent Dervishajn dhe Jualian Meçajn, nën akuzë për atentatin e vitit 2019 në Shkozet ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, SPAK paraqiti prova të reja që përfshijnë komunikime dhe të dhëna të koduara nga aplikacioni Sky ECC, të cilat konsiderohen sekret hetimor.

Prokurori Adnan Xholi i bëri të ditur gjykatës se disa mesazhe dhe prova përfshinin informacion mbi persona të tjerë nën hetim, ndaj dhe duhej të mbaheshin jashtë vëmendjes së publikut.

SPAK shpjegoi se si arriti të identifikonte kodet e SKY ECC dhe se kujt i përkisnin ato. Përveç rasteve kur janë përdorur pseudonime që lidheshin me emrat, në rastin e Plaurent Dervishajt është gjetur një foto ku kërkohej nga ana e tij që t’i mbyllej një adresë emaili.

Po ashtu janë zbuluar edhe të dhëna të tjera familjare, si emrat e fëmijëve dhe data e lindjes së tyre, duke verifikuar që është pikërisht Dervishaj.

Po në të njëjtën mënyrë është bërë edhe identifikimi i Julian Meçes, për shkak të fotove të të dhënave që ka dërguar nëpërmjet aplikacionit.  

Në disa raste, sipas SPAK, personat janë vetëidentifikuar pasi i kanë shkruar personave të tjerë. Po ashtu në një rast identifikimi është bërë nëpërmjet numrit të avokatit të Redjan Rrajës.

Në komunikime, personat kanë nisur një foto ku shikohej numri i telefonit. Më pas prokurorët kanë bërë verifikimet dhe kanë gjetur memon e bërë nga avokati. Kështu u identifikua edhe Ramazan Rraja.

Për shkak të të dhënave sekrete procesi ndaj tyre do vijojë me dyer të mbyllura.

Në atentatin e ndodhur në 1 nëntor të 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj, Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Sukthit dhe Andi Maloku, shoferi i ish-prokurori i cili humbi jetën një javë më vonë në spital.

Për ngjarjen, Redjan Rraja u dënua në prill 2024 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit me burgim të përjetshëm si një nga atentatorët. Fajtor u shpall edhe bashkëpunëtori i tij, Aril Halilaj, i dënuar me 35 vjet burg.

Ndërsa porositësit dhe financuesit e kësaj ngjarje janë në proces gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për shkak se kanë qenë në kërkim dhe janë zbuluar nga komunikimet në Sky Ecc.

Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë