Drejtësia

SPAK, urdhër-arrest për motrën e Regis Runajt i vrarë 4 vite më parë. Punonte si sekretare në Gjykatën e Elbasanit

Gazeta Si – Një punonjëse e Gjykatës së Elbasanit, si sekretare gjyqësore e quajtur Denada Toda alias Runaj, është mes 33 shtetasve për të cilët, SPAK ka caktuar masa sigurie.

Denada Toda ka shërbyer për më shumë se 10 vite si sekretare gjyqësore në Gjykatën e Tiranës dhe atë të Elbasanit, ndërsa më pas ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar në Itali.

Ajo është motra e të ndjerit Regis Runaj, i cili në 29 korrik 2020 u masakrua me rreth 27 goditje thike, nga Euglen Halili i cili kishte marrë urdhër nga Xhuljano Hoxha dhe Erjon Alibej për vrasjen e tij në Elbasan.

Si për rastësi, arrestimi i ish-sekretares erdhi në të njëjtën datë me atë të vrasjes së vëllait të saj. Teksa familja përkujtonte Regis Runajn në katër vjetorin e vdekjes, mësoi edhe për urdhër-arrestin e vajzës, Denadës.

Sipas SPAK, Denada Toda, gjatë periudhës shtator-tetor 2020 kur shërbente si sekretare në Gjykatën e Elbasanit, ka dërguar dokumente sekrete në drejtim të personave të ndryshëm dhe për këtë shkak është vendosur masa e sigurisë për akuzën e “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.

Aktualisht për vrasjen e Regis Runajt është dënuar me 17 vite burgim Euglen Halili, ndërsa Xhuliano Hoxha u dënua me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Regisit dhe Emiljano Ramazanit.

Ndërkohë, i pandehur është marrë Erjon Alibej, i cili tashmë është në pritje të gjykimit me persona të tjerë edhe për vrasje të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë