Drejtësia

SPAK thirri Metën për akuzat, avokati kërkoi shtyrjen. Monika e Fatime Kryemadhi paraqiten sot

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme kishte thirrur këtë të martë për t’i komunikuar edhe ish-presidentit Ilir Meta akuzat si i pandehur për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në SHBA, por avokati i tij Kujtim Cakrani ka kërkuar disa ditë kohë, pasi ndodhet me pushime.

Kësisoj mbyllja e hetimeve pritet t’i komunikohet Metës të hënën e 4 gushtit.

Ndërkaq, po sot pritet të njihen me përfundimin e hetimeve në mesditë edhe Monika Kryemadhi dhe e ëma e saj, Fatime Kryemadhi, të dyja të akuzuara për të njëjtën dosje.

Një ditë më parë, iu njoftua mbyllja e hetimeve Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos.

Përveç mbylljes së hetimeve për ish-çiftin dhe bashkëpunëtorët e tyre, u mor e pandehur edhe Fatime Kryemadhi, e ëma e Monika Kryemadhit. Sipas SPAK, dyshohet se e moshuara ka ndihmuar vajzën dhe ish-dhëndrin e saj që të pastrojnë paratë.

Ajo është marrë disa herë në pyetje gjatë hetimeve të SPAK, ku ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se çdo pasuri e saj ka ardhur nga prona private.

Dje iu komunikuan akuzat edhe Ema Çokut për pastrim parash dhe ish-kreut të AKEP-it Pirro Xhixho për korrupsion pasiv.

Në dosje hetimore përfshihen hetimet për aferën “CEZ-DIA”, skandali i lobimit të LSI në SHBA dhe pasuria e dyshimtë e ish-çiftit Meta-Kryemadhi.

Dyshimet janë se Kryemadhi dhe Meta duke përdorur pushtetin e tyre, kanë përfituar pasuri të paligjshme duke fshehur edhe burimin e tyre nëpërmjet përdorimit të familjarëve

Ish-presidenti u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar, pasi akuzohet nga SPAK se ka konsumuar elementë të veprave penale: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë