Nga Gazeta ‘Si’ – Si i “paskrupulltë” dhe “i aftë për gjithçka” përshkruhej dikur në dosjen hetimore të ish-prokurorisë për Krimet e Rënda, Nuredin Dumani, por ata që kundrejt ryshfetit e nxorrën nga burgu, janë mitra e krimit.
Dumani rrëfeu dje se, avokati Alban Bengasi, ka qenë ndërmjetës për lirimin e tij, duke i paguar shumën prej 40 mijë eurosh dhëndrit të vëllait të ish ministrit, që në atë kohë ishte shef i spitalit. Menjëherë reagoi ish-ministri se nuk kishte dhënë asnjë leje të veçantë.
Mediat i bënë jehonë emrit të ministrit i cili në reagimin e tij të shpejtë, të paramenduar apo jo, në fakt ngriti një kurth, për të hequr vëmendjen e publikut nga një e vërtetë më e madhe: atë të ekzistencës së një sistemi dhe njerëzve të duhur që anashkalojnë gjykatat dhe me pak letra e pak para mund të nxjerrin një kriminel nga burgu.
Sigurisht pas daljes Dumani vrau të tjerë. Nuk i tha as mjeku, as avokati ‘shko e vrit’. Ata rikrijuan kushtet se një vrasës si ky mund të bëjë gjithçka.
Gazetasi.al në një lajm me titull “Skandali/ Rruga e shkurtër që ndoqi Nuredin Dumani për të siguruar lirinë në 2014” tregon se nuk është e lehtë të marrësh një raport mjeko ligjor për të nxjerrë dikë nga burgu, e aq më tepër Dumanin.
Shkrimi tregon se duhen disa palë e disa institucione, e shumë verifikime. Pra, është një sistem i tërë.
Por fakti që ai doli dhe vrau të tjerë njerëz, çështja nuk është më Dumani e as vetëm një mjek apo një avokat, e as pse mjeku ka lidhje krushqie me një ish-ministër.
Tragjike është fakti që kemi në funksion një sistem i cili rilind vrasës.
Ky sistem me në qendër mjekë e avokatë është mitra që mund të pjellë çdo ditë vrasës e që mund të lindë aspirata të vdekura të një populli për drejtësi dhe barazi.
Këta mostra, në dukje me peshën e fajit më të vogël, janë më të rrezikshëm se Dumani. Ai është një i vetëm, por këta mund të prodhojnë disa.
Ata kanë vdekur sigurinë në këtë vend duke i dhënë dhjetra kriminelëve mundësinë e lirisë për të na vrarë. Ky mund të jetë një rast dhe i vetëm, por ja që mundësia dhe sistemi që i nxjerr nga burgu kriminelët ekziston dhe askush nuk është i sigurt që kjo nuk mund të ndodhë, në mos ka ndodhur edhe me raste të tjera.
Ndaj SPAK duhet të hetojë urgjent skemën e lirimit të Dumanit dhe të nisë një hetim më të gjerë, një proces hetimor që të kalon të gjitha lejet për arsye shëndetësore që u japin liri të dënuarve. Një hetim që fut në sitë avokatë, mjekë, dhe institucionet e burgjeve, dhe çdo agjenci tjetër që mund të jetë e përfshirë. Publiku pasi mësoi këtë fakt nga Dumani nuk kërkon vetëm fajtorët që e liruan por rikthimin e sistemit që sot për sot, në vend që ta parandalojë krimin dhe të na mbrojë nga ai, e favorizon atë.
Nga ana tjetër, qeveria dhe institucionet e shtetit duhet të nisin një proces që korrigjon hapësirat dhe shëndosh fuqinë e ligjeve që të mos krijojnë hapësira.
Një proces që t’i shtojë frikën deri në palcë kujtdo të korruptuari që jo vetëm vjedh por edhe të vret si në këtë rast. Duhet të kenë ata frikë nga ne dhe jo ne nga ata!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.