Drejtësia

SPAK shtyn pretencën e dënimit ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Gazeta Si – SPAK ka shtyrë për në datë 2 korrik në orën 08:30 seancën në ngarkim të ish-kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim.

Shkak është bërë kërkesa e prokurorit Elvin Gokaj që tha se janë se ka përgatitur konkluzionet përfundimtare në një material prej 75 faqesh, por njëherësh kërkon kohë për të analizuar pretendimet e mbrojtjes të paraqitura në seancën e fundit.

“Na duhet kohë për të integruar në mënyrë të plotë qëndrimet e mbrojtjes në konkluzionet tona,” u shpreh Gokaj

Në seancën që do të mbahet, pritet që SPAK të japë pretencën për dënimin e ish-kreut të bashkisë së jugut, mbrojtja e të cilit ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

Duke qenë se kërkesa është pranuar, në rast se shpallet fajtor Goro do të përfitojë ulje të 1/3-ës së dënimit.

Më herët ai u dënua me 2 vite burg për tjetërsimin e pronave në një rast ku është i përfshirë edhe Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Ish-kryebashkiaku i Himarës, u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos, 4263 metra sipërfaqe tokë.

Të pandehur në këtë dosje janë marrë dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë dhe Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë