Gazeta Si – Për të 6 herë me radhë, Prokuroria e Posaçme ka komunikuar zgjatjen e afateve hetimore për ish zëvëndës kryministrin, Arben Ahmetaj, i cili po hetohet për dosjen e inceneratorëve, në një fraksion të ndarë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas burimeve, hetimet janë shtyrë për të marrë kohë dhe pritur letërporositë e dërguara te autoritetet e huaja për ish-zyrtarin e lartë.
Sipas organit hetues, veprimet komplekse dhe kohët e ndryshme kur dyshohet të kenë ndodhur veprat penale, që po kryen SPAK, janë bërë shkak për të shtyrë sërish hetimet deri në datën 22 mars 2026.
Sipas mbrojtësit të tij ligjor, Henrik Ligori, Ahmetaj i ka pritur me indiferentizëm shtyrjet e herë pas hershme të afateve, teksa interesi i tij që në krye të herës vijon të jete zbardhja e të vërtetës dhe që organi i akuzës të marrë të gjithë kohën e nevojshme.
Në bazë të dispozitave ligjore, kjo është e fundit që SPAK ka mundësi të shtyjë hetimet, më pas duhet të vendosë për dergimin ose jo për gjykim të çështje.
Për të njëjtën çështje po hetohet edhe bashkëjetuesja e Arben Ahmetajt si dhe ish bashkëjetuesja e tij Albina Mançka dhe Erjola Hoxha.
Ish-ministri dhe numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, është në arrati prej qershorit 2023, ndërsa prej 24 korrikut të këtij viti vitit është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, ndërmori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare. Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.
Më 13 korrik 2023, Parlamenti miratoi me 117 vota pro, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Arben Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij.
Në datat 15, 16 dhe 17 korrik, prokuroria iu drejtua gjykatës me tri kërkesa, për firmosjen e urdhër arrestit, kryerjen e kontrolleve në 7 banesa dhe sekuestrimin e 6 pasurive në emër të ish-zv.kryeministrit, ish gruas së tij, Albina Mançka dhe bashkëjetueses, Erjola Hoxha.
Sipas SPAK, Ahmetaj akuzohet se ka përfituar shumën prej prej 170.480 euro në vitet në vitin 2016 dhe 2017, përmes një “shitje” të dy apartamenteve me sip 124.15 m2 dhe me sip 148.8 m2 në Selitë.
Një tjetër përfitim i Ahmetajt, sipas SPAK, ka qenë trualli 521.13 m2 dhe ndërtesa 98 m2, në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK lidhur me aferën e inceneratorëve.
Ankimimet e tij u rrëzuan gjithashtu nga Kushtetuesja, teksa aktualisht është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




