Gazeta Si – Gjatë aksionit të fundit për parandalimin e krimeve zgjedhore, SPAK ka sekuestruar celularin e kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, sipas TCH.
Sekuestrimi i celularit, vjen vetëm 3 ditë pas zgjedhjeve parlamentare, ku në Vaun e Dejës, PSD-ja e Tom Doshit doli forcë e parë në qarkun e Shkodrës.
Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të kryeministrit Edi Rama, ku gjatë një takimi që ky i fundit zhvilloi në Shkodër, në përmbyllje të fushatës elektorale, iu drejtua me fjalët: “Kristian, mos luaj më dy porta Kristian!”. Kristian Shkreli, kryebashkiak i Vau Dejësit i fitoi zgjedhjet 2 vite më parë si kandidat i Partisë Socialiste.
BKH dhe Policia e Shtetit e përfaqësuar nga forcat operacionale dhe FNSH zhvilluan aksion një ditë më parë në Shkodër, Vau Dejës dhe Malësi të Madhe.
Aksioni ishte me urdhër të SPAK, ku dyshohet për disa persona të ndaluar me akuzën për krime zgjedhore.
Pas Shkodrës u zhvillua aksion edhe në Fier, ku janë kryer kontrolle në disa subjekte dhe janë sekuestruar telefona dhe pamje filmike.
Deri më tani, SPAK ka nisur hetimet për 39 çështje që lidhen me krimet zgjedhore, ndërsa në prokuroritë e vendit janë regjistruar 87 kallëzime.
Deri më tani janë arrestuar në flagrancë 7 persona për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, 4 në Prokurorinë Tiranë, 1 në Prokurorinë e Elbasanit, 1 në Prokurorinë e Lezhës dhe 1 në Prokurorinë e Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.