Drejtësia

SPAK sekuestron pasuri të tjera të vëllezërve Çopja, mes tyre restoranti luksoz në Baldushk, diamante dhe flori

Gazeta Si – SPAK ka sekuestruar disa pasuri të tjera të organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit nga Elbasani, Franc dhe Hajdar Çopja, të akuzuar për trafik droge, vrasje dhe pastrim parash.

Aty përfshihen aktivitete në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj.

Gjithashtu është arrestuar edhe një person që administratore aktivitetin për akuzën e pastrimit te parave.

Franc Çopja është në burg në Belgjikë pas ekstradimit të tij nga Belgjika, ndërsa Hajdar Çopja është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet se ndodhet në Dubai.

Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se ka sekuestruar disa pasuri pronësore, por edhe para, ora të shtrenjta dhe gurë të çmuar, në dukje diamante.

“Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme”, njoftoi SPAK.

Prokuroria thotë se është vendosur sekuestro preventive për një operator ekonomik të quajtur “S. Farm” me aktivitet në fushën e agroturizmit.

Pasuria e paluajtshme ndodhet në fshatin Mumajes të Baldushkut. Ky subjekt kishte aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hoteliere, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj. Sekuestro është vendosur edhe për oborrin, sendet dhe orenditë e restorantit.

SPAK thotë ndër të tjera se ndaluan edhe administratorin e S. Farm i cili dyshohet për pastrim parash kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e organizatës kriminale, organizatë kriminale dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Këtij shtetasi, prokuroria thotë se i gjeti gjatë kontrollit personal, 2940 Euro, 203 mijë lekë, orë Rolex, varëse floriri me tre gurë të çmua, në duke diamante, katër telefonë etj.

Më herët me urdhër të gjykatës, SPAK i ka sekuestruar prona dhe asete të tjera vëllezërve Çopja. Mes tyre edhe 10 milionë dollarë kriptovaluta. SPAK i akuzon ata për 4 atentate me 6 viktima dhe trafik ndërkombëtar droge

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të firmosur masa sigurie ndaj vëllezërve Çopja dhe 31 personave të tjerë në fund të korrikut të vitit të shkuar.

Vetëm 13 nga masat u ekzekutuan. Me herët, Franc Çopja ishte ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara në Belgjikë, ndërsa vëllai i tij, Hajdar Çopja, vijon të jetë në kërkim.

Pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe të dhënave nga aplikacioni SKY të vëna në dispozicion nga Belgjika, SPAK ngriti dyshime për përfshirjen e tyre në 26 ngjarje kriminale, mes të cilave “masakra e Bradasheshit” me 3 të vrarë, dhjetorin e vitit 2018.

Pasuritë e sekuestruara:

Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”);

Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.

Oborri (hapsira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm;

Dhomë shërbimi jashtë restorantit;

Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.

Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “S. FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit P.L., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

Shuma monetare në valutë euro 2940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet)

Shuma monetare në monedhë Lekë (ALL), në total 203,000.00 (dyqind e tre mijë)

Orë dore, marka Rolex

1(një) varëse floriri, me pllakë në dukje me përbërje floriri, pas të cilës është gdhendur data 29.09.2022, ndërsa në pjesën e përparme janë të vendosura dhe 3 (tre) gurë të çmuar, në dukje diamante;

4 (katër) telefona; Etj


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë