Ngjarje

SPAK sekuestron një tjetër pronë të çiftit Veliaj-Xoxa. I shton dhe një akuzë të re

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) përmes një njoftimi këtë të enjte ka bërë të ditur se nga hetimet e deritanishme rezulton se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin për kryerjen e një tjetër vepre penale nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, (GJKKO) ka vendosur të sekuestrojë një apartament dhe shtesën e tij në pronësi të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Arjola Xoxa.

Bëhet e ditur se pasuritë e sekuestruara janë të regjistruara në emër të subjektit tregtar A.K., por sipas Prokurorisë se Posaçme ka dyshime se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore mbi këto pasuri.

“Në  vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme: Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, ‏regjistruar në ASHK në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk;

Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V.  dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë”, thuhet në njoftim.

Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”.  2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë