Drejtësia

SPAK, rrjet i përbashkët Amerikë e Jugut-Europë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës

Gazeta Si - Kreu i SPAK Altin Dumani dhe shefi i sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar në SPAK, morën pjesë në takimin e organizuar në Buenos Aires në 12–13 prill 2023 nga Rrjeti kundër Drogës i Prokurorëve të Amerikës së Jugut, EUROJUST dhe EUROPOL, në kuadër të plaftormës EMPACT të Europol, prioriteti kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare me risk të lartë.

Qëllimi i këtij takimi, ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve të Amerikës së Jugut dhe Europës, nëpërmjet vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta, krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT), përdorimi i metodave speciale të hetimit, me synim goditjen e organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare me risk të lartë të krimit të organizuar qe merren me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Siç dihet, në vendet e Amerikës Latine operojnë disa grupe kriminale me origjinë shqiptare, të cilët drejtojnë prej dekadash trafikun e drogës drejt vendeve europiane përmes rrugëve detare.

Në takimin koordinativ morën pjesë përfaqësues të prokurorive homologe nga vendet e BE; Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Gjermani dhe Portugali, ashtu si dhe nga agjencitë e BE-së, EUROJUST dhe EUROPOL.

Gjithashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga prokuroritë homologe nga Amerika e Jugut, Argjentinë, Brazil, Ekuador, Kolumbi, Panama, Paraguaj dhe Kosta Rika.

Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në këto kushte pjesëmarrja në këtë takim ishte e një rëndësie të veçantë dhe shumë produktive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë