Fatmir Mediu e cilësoi vendim krejtësisht politik rihapjen e hetimeve për shpërthimin e Gërdecit, në ngjarjen tragjike që ndodhi 13 vite më parë, e ku mbetën të vrarë 26 persona e qindra të tjerë u plagosën.
“Në këtë vend nuk ka institucione dhe as shtet. Çdo gjë drejtohet nga një njeri. Është gjithçka politike. Kjo sjellje e SPAK ka shumë pikëpyetje, por gjithmonë rezervoj qëndrimin derisa të shoh pretendimin e SPAK. Jam njohur për vendimin e SPAK nga mediet”, tha Media.
Kreu i Partisë Republikane foli në një intervistë dhënë për Top News. Ai tha se do ta kundërshtojë vendimin e SPAK. I dalë deputet nga zgjedhjet e 25 prillit si pjesë e listave të PD-së, Mediu uron që njoftimi për rihapjen e dosjes së tij të mos ketë lidhje me mandatin e tij në Kuvend.
“Nuk besoj se ka të bëjë me mandatin tim. Mandatin ma kanë dhënë qytetarët. Sot, politika shqiptare ka arritur tek ai lloj bataku ku nuk ka më as institucione, as kushtetutë, as pushtet të pavarur”, vijoi ai.
Shpërthimi i Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008. Në atë kohë, Fatmir Mediu mbante postin e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë “Berisha 1”. Mediu e konsideron të mbyllur këtë çështje.
"Vendimin e Gjykatës së Lartë, apo të Prokurorisë nuk i kam marrë unë, por institucionet. Afatet kohore nuk i përcaktoj unë, por ligji", u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.