Gazeta Si – Kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se institucioni që ai drejton ka në dorë dosje të rëndësishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që janë në proces hetimi.
Në prezantimin e projektit të Bashkimit Europian EU4LEA, për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, Kraja kërkoi ndihmën e BE dhe u zotua se do të jenë bashkëpunues për të përmbushur objektivat që duhen arritur.
Ndër të tjera, kreu i SPAK theksoi se situata e kriminalitetit në vend kërkon reagim të fuqishëm.
Kraja theksoi se del garant që hetimet do të kryhen në mënyrë të paanshme dhe do të japin rezultatet shumë shpejt.
“SPAK është konsoliduar formalisht si strukturë. Hetuesit e BKH janë marrë të gjithë në punë. Situata është që të gjithë janë tepër aktivë. Kemi shumë hetime të rëndësishme në vijim dhe në këtë sens është momenti që të ecim përpara. Niveli që ne kemi arritur mendoj se ka ardhur me rritje në mënyrë të vazhdueshme”, – u shpreh Kraja.






Sipas tij, SPAK ka “20 skuadra të përbashkëta hetimore. Ne po mundohemi dhe jemi seriozë për të shkuar deri në fund”.
Duke vlerësuar projektin e Bashkimit Europian si një ndihmë, Kraja theksoi se “SPAK do të hetojë në mënyrë objektive të gjitha rastet që kemi dhe do të japim rezultate. Dua t’i garantoj drejtuesit e projektit që do të jenë bashkëpunues në arritjen e objektivave që ka projekti. Do të jemi partnerë seriozë dhe kemi nevojë të na ndihmoni. Do të kemi më shumë rezultate”, deklaroi Kraja.
Ndërkohë, në fjalën e tij, kryeprokurori, Oslian Çela kërkon nga misioni i BE-së më shumë mbështetje për policinë gjyqësore.
Gjatë prezantimit të këtij projekti, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja evropiane, Çela veçoi zgjerimin e kapaciteteve në krimin financiar dhe atë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
“Fokus jonë kryesor që do të kërkojmë mbështetjen nga misioni do të jetë struktura jonë e policisë gjyqësore, ku do të veçoja zgjerimin e kapaciteteve të tyre, veçanërisht në seksionet e specializuara për krimet financiare dhe të pastrimit të produkteve të veprës penale, por edhe të oficerëve që kanë hyrë në sistem”, – shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




