Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shtetit dhe SPAK kanë ndërmarrë një operacion për arrestimin e disa personave, punonjës të IMT-së, të dyshuar për korrupsion.
Deri më tani mësohet se dy persona janë arrestuar, ndërsa të paktën 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë Gerald Fuçia dhe Edmond Çela. Ata ndodheshin së bashku në një lokal në zonën e Kombinatit në kryeqytet në momentin kur u arrestuan.
Ndërsa në kërkim është Klajdi Zhilla dhe një punonjës tjetër i IMT. Klajdi Zhilla është shoferi i drejtorit të IMT-së së Tiranës.
Operacioni vjen pas denoncimit të bërë më herët në polici se këta persona merrnin para tek biznese të ndryshme, duke i favorizuar në zabtimin e ambienteve publike.
Më herët gjatë ditës së sotme, policia ka vënë në pranga ish-kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm në një zonë bregdetare në fshatin Shetaj të Ishmit.
Kujtojmë se gjatë muajve të fundit, qeveria ka ndërmarrë një aksion për shembjen e objekteve pa leje dhe shtesave të lokaleve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.
Ky aksion i IKMT-së nisi fillimisht me shembjen e disa objekteve pa leje në Theth, të cilat shërbenin si bujtina për turistët dhe më pas u shtri edhe në qytete të tjera si Tiranë, Vlorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



