Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe është arrestuar me urdhër të Pokurorisë së Posaçme, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin.
Sipas SPAK, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ai është përfshirë në një tender abuziv të ditëve të fundit prej 24 mln lekësh për rehabilitimin e një kanali ujitës.
Burime shprehen se në këtë hetim ka pasur përgjime dhe vëzhgime, kontrolle të financave dhe transaksione të zyrtarëve, ku këta të fundit, lekët e tenderave i kalonin në kompani private në mënyrë fiktive.
Mes të ndaluarve është edhe Flamur Peqini, ish-kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë, Gazment Çela, zëvendës- drejtor i ndërmarrjes së pasurive publike, Xhemal Hasko, përgjegjësi i ujit në Bashkinë Lushnjë.
FNSH dhe RENEA kanë nisur këtë të martë një aksion masiv në Lushnjë, ku janë arrestuar 11 persona, në mesin e të cilëve është edhe kryebashkiaku.
Forca të shumta kanë zbarkuar në zyrat e Ndërrmarjes së Pasurive Publike në bashkinë e qytetit, ndërsa të arrestuarit akuzohen për korrupsion dhe abuzim me tenderë.
Aksioni është ende në zhvillim dhe nuk bëhen të ditura më shumë detaje. Ndërkohë pritet njoftimi i SPAK në lidhje me urdhër-arrestet e firmosura për nëpunës publikë deri te kreu i Bashkisë Fatos Tushe.
Finalizimi i operacionit anti-korrupsion në Bashkinë Lushnjë, vjen një ditë pas deklaratës së kreut të SPAK, Arben Kraja, i cili paralajmëroi se do ketë zyrtarë të ndaluar për shpërdorim të fondeve publike.
Kush është Fatos Tushe?
Kryebashkiaku Fatos Tushe e drejton Bashkinë e Lushnjës që prej vitit. 2011. Në 31 dhjetor 2019 të atij viti iu bë dhe një atentat me granatë brenda në zyrën e tij.
Autor i kësaj ngjarje asokohe u tha se ishte shtetasi, Gëzim Saraçi, ish-shofer i kryebashkiakut Tushe, për të cilin ka pasur akuza që merret me trafik të lëndëve narkotike.
Vetë Tushe përfundoi në spital pas atentatit, ndërsa e plagosur mbeti dhe sekretarja e tij. Pas ngjarjes familja e tij u mor në mbrojtje nga ana e policisë.
Tushe është akuzuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, se ka bashkëpunuar me anëtarë të bandës “Hakmarrja për Drejtësi”.
Personat e shoqëruar:
Flamur Peqini
Xhemal Hasko
Blerta Turaku
Ani Simoni
Andri Mushaj
Margarita Gjermeni
Bujar Murati
Ibrahim Lami
Xhemal Hasko
Gazment Çela
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.