Gazeta Si – SPAK nuk tërhiqet nga kërkesa për të shpallur fajtore Etleda Çiftjen, anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për akuzat e “falsifikimit” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Prokuroria e Posaçme ka kundërshtuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të Posaçëm për vendmin që shpalli të pafajshme Çiftjen.
Gjyqtarja e Shkallës së Parë të Vettingut, fitoi pafajësi në dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit, nga GJKKO, si dhe në Apelin e Posaçëm.
Kjo e fundit vendosi më 12 janar 2023 të lërë në fuqi vendimin e pafajësisë së shkallës së parë.
Sipas prokurorisë, ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën vitit 2017 ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sipërfaqe 1450 m2 dhe me sipërfaqe 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë së dy pasurive të fundit, si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie.
Por si GJKKO dhe Apeli e rrëzuan SPAK-un, duke e shpallur të pafajshme komisioneren e Vettingut, e cila nuk e ndërpreu asnjë ditë detyrën e saj megjithëse ishte e pandehur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




