Politike

SPAK: Nuk po hetojmë as Berishën dhe as Metën

Prokuroria e Posaçme thotë se nuk po hetohet as Sali Berisha dhe as Ilir Meta në lidhje me tre dosjet e bujshme, për të cilat prej tre javësh Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar që të hetohen.

Sipas një përgjigje që SPAK i ka kthyer Euronews Albania nuk është nisur asnjë procedim penal për Berishën dhe Metën për dosjet ‘Gërdeci’, ’21 janari’ dhe ‘CEZ-DIA’.

Për dy të fundit, SPAK thotë se nuk ka asnjë dosje të hapur, ndërsa për dosjen ‘Gërdeci’ po hetohet vetëm Fatmir Mediu.

Kryeministri Edi Rama i përsëriti SPAK kërkesën për të hetuar këto dosje gjatë konferencës për shtyp të mbajtur këtë të mërkurë.

Ai iu përgjigj edhe deklaratës së Arben Krajës, që tha se SPAK vepron mbi bazë kallëzimesh dhe jo deklaratash politike. Rama tha se SPAK mund të hetojë kryesisht, ndërsa kërkoi që veç Berishës e Metës të hetohen edhe gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vettingu për mosjustifikim pasurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë