Politike

SPAK nuk i jep leje Veliajt të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për buxhetin

Nga Gazeta ‘Si’- Ashtu siç ishte parashikuar, SPAK nuk ka dhënë leje që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për buxhetin 2026.

Ky refuzim erdhi pas kërkesës së këshilltarëve të bashkisë më të madhe në vend ndaj Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

“Pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projekt-buxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik”, theksohej në shkresë.

SPAK argumenton se kuadri ligjor në fuqi nuk e parashikon një mundësi të tillë.

Referuar ligjit SPAK thotë se lejet e veçanta për të paraburgosurit jepen vetëm në raste të përcaktuara shprehimisht, si sëmundje të rënda që rrezikojnë jetën e familjarëve, ngjarje të rëndësishme familjare (vdekje, lindje, martesë) apo dhënie provimesh nga vetë i dënuari.

Sipas prokurorëve të posaçëm, kërkesa për pjesëmarrje në një mbledhje institucionale nuk përfshihet në këto raste dhe për rrjedhojë nuk plotëson kriteret ligjore për dhënien e një lejeje të veçantë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë