Nga Gazeta ‘Si’- Hamendësojmë se të gjithë zyrtarët e lartë të ndalur në paraburgim apo në gjykim, në asnjë rast nuk dalin të korruptuar, askush nuk duhet të mendojë se korrupsioni në Shqipëri nuk është aq i madh sa do të dukej nëse një ish zv.ministër në arrati, një kryeministër, një ish kryeministër apo ish president, një ministër shëndetësie, apo dhe një kryetar bashkie në Tiranë do të dilnin të fajësuar në fund të procesit të gjykimit.
Hulumtimet sistematike të kryera herë pas herë nga një numër autorësh zbulojnë se sa më i korruptuar një vend, aq më ngadalë rritet.
Korrupsioni fillon e punon kundër rritjes ekonomike përmes disa kanaleve.
Dhënia e ryshfetit nga bizneset perceptohet si një taksë dhe si e tillë ajo do të paguhet nga i fundit në “zinxhirin ushqimor”, kosumatori, çka jep shpjegim edhe pse nuk ka çmime të ulta.
Nga ana tjetër vdesin shanset për bizneset e reja që kanë njohur dhe produktivitet çka rezulton edhe me një punësim të ngadaltë dhe paga të ulta e shumë të rinj të talentuar.
Korrupsioni shfaqet tek ndihmat dhe subvencionet. Tek evazioni fiskal, tek një mbledhje e ulët e taksave, tek mënyra sesi ndahen kontratat publike, pasi këto të fundit përmes një sistemi korruptiv japin një cilësi të ulët të infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Korrupsioni mund të shtrembërojë përbërjen e shpenzimeve qeveritare. Korrupsioni mund t’i tundojë zyrtarët e qeverisë që të zgjedhin shpenzimet e qeverisë më pak në bazë të mirëqenies publike sesa në mundësinë që ata ofrojnë për zhvatje të ryshfetit. Projektet e mëdha, vlera e saktë e të cilave është e vështirë të monitorohet, mund të paraqesin mundësi fitimprurëse për korrupsion. Apriori, mund të pritet që është më e lehtë të mblidhen ryshfete të konsiderueshme nga projekte me vlera të mësha sesa nga financimet për librat shkollorë ose pagat e mësuesve.
Nëse do t’i hedhim një sy të shpejtë Shqipërisë, e kupton se korrupsioni, ka depërtuar nëpërmjet të gjitha kanaleve të mundshme.
Më së pari, është dëshmia e rritjes ekonomike.
Shqipëria prej dekadash nuk ka mundur të ketë një rritje ekonomike të qenësishme sa t’u garantojë qytetarëve një rritje të ardhurash të përshpejtuara.
Përfitimi prej rritjes ekonomike ka qenë i ngadalshëm dhe i pandjeshëm në vite. Vetëm pas daljes nga karantina pandemike e Coronavirus, Shqipëria pati një rritje të pritshme ekonomike prej 9 për qind.
Kjo për shkak se vinte nga një rënie gropë prej -3 për qind një vit më parë dhe pezullim të shumë aktiviteteve.
Ndër vite, rritja është qarkulluar më shumë tek 4 për qindëshi. Në një inflacion mesatar, diçka më pak kuptohet lehtë se sa është përfitimi.

Publiku i sotëm është mbërthyer në kërshërinë e telenovelave me dosje përgjimesh dhe arrestimesh të bujshme nga SPAK. Është e natyrshme që këto ngjarje të kenë shumë kuriozitet por dhe mllef brenda, mirëpo ato i kanë zën pothuajse gjithë hapsirën e disktumeve se çfarë presim nga lufta kundër korrupsionit, vetëm drejtësi?
Rastet kanë treguar se si korrupsioni është zhvilluar pikërisht sipas rrugëve që treguam më lartë, përmes favorizimeve në prokurime, subvencioneve, tarifave preferenciale etj. Çka tregon se gjykimi i mëkatarëve është vetëm një aspekt.
Por, thelbi i luftës ndaj korrupsionit edhe pse ka një drejtësi të re të pretenduar dhe të reformuar nuk është prekur. Vënia e drejtësisë është një aspekt por jo gjithçka.
Shqiptarët duhet të presin nga lufta kundër korrupsionit e cila nuk bëhet vetëm nga SPAK apo GJKKO, përfitime ekonomike që vijnë nga rritja ekonomike, cilësia e arsimit dhe shërbimeve publike të tjera.

Deri tani, reforma në drejtësi ka shkundur politikën po nuk ka nxitur asnjë proces tjetër që do të krijonte barriera të forta dhe më të sigurta për korrupsion. Më i rëndësishëm është roli i qeverisë në ekonomi.
Sipas Bankës Botërore “Ligjet dhe zbatimi i tyre janë të rëndësishëm por vendet që seriozisht duan ta luftojnë korrupsionin duhet gjithashtu t’i kushtojnë vëmendje reformës, roli i qeverisë në ekonomi, veçanërisht ato fusha që u japin zyrtarëve liri pushteti që janë shtretër të nxehtë për korrupsionin.”
Ka një mendim që drejtësia do të vihet në vend kur të korruptuarit e kapur t’i paguajnë mbrapsht publikun për çdo cent të vjedhur. Ky është një shqetësim, por beteja e së ardhmes është të mos lëmë të na vjedhin rritjen ekonomike dhe zhvillimin shoqëror, me pak fjalë të mos na vjedhin edhe të ardhmen.
Dy shekuj më parë Adam Smith vuri në dukje se “Njerëzit e të njëjtit zanat takohen rrallë së bashku, madje edhe për qejf dhe diversion, por biseda përfundon në një komplot kundër publikut”.. Ndaj njerëz kujdes!
Mos shikoni si sillen politikanët me njëri-tjetrin por se çfarë dhe bëjnë ata për të siguruar se korrupsioni po luftohet.
Nëse një ditë do të mbetemi pa lajme për arrestime të korruptuarish nga SPAK, do jetë një ditë e bukur për të nesërmen e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.